Top lista e më të pasurve në Kuvendin Shqiptar
Albeu.com
Raporti i Mjaft, radiografia e parlamentit shqiptar. Në krey të listës janë Tom Doshi, Sadri Abazi, Pilo Keri, Ndriçim Babasi, Sami Gjergji, Lulzim Basha dhe Genc Ruli.Pederast, plehrë, fundërinë, kriminel, organ i marrë nëpër gojë dhe i mbajtur gjatë po në gojë (gazetën partiake ZP)’. Zakonisht në Shqipëri, një rresht i tillë me epitete apo shprehje të forta, të shkëmbyera mes dy burrash, pasohen nga një breshëri automatiku ose edhe më keq. Por ekziston dhe një tjetër vend, një ‘ishull’ i izoluar tolerance dhe mirëkuptimi, që këto fjalë nuk shkaktojnë viktima; ato pasohen ose nga paqja që zëvendësohet shpejt nga rifillimi i luftës së fjalëve ose nga pajtimi në një tavolinë bari për t’u zënë sërish në vendin e punës në të njëjtën mënyrë. Merita e ‘zbulimit’ të këtij ‘ishulli’ tolerance i përket Lëvizjes Mjaft. Dhe sipas saj, ai quhet Kuvendi i Shqipërisë, ndërsa autorët e këtyre batutave, janë deputetët shqiptarë.

Raporti

Në një raport voluminoz, të mbajtur të fshehtë deri më tani, por që pjesë të tij kanë mundur të sigurohen nga Gazeta Shqiptare, Lëvizja Mjaft tenton të tregojë Parlamentin Shqiptar të parë nga një optikë e veçantë dhe origjinale. Në emër të transparencës dhe të së drejtës së publikut për të njohur njerëzit që e përfaqësojnë atë, Lëvizja Mjaft do të bëjë publike të martën studimin e kryer nga veprimtarët e saj që i përgjigjet veprimtarisë së deputetëve në Kuvend për periudhën janar-korrik 2006. Në thelb të këtij raporti janë përgjigjet e disa prej pyetjeve: A keni dijeni për pasuritë që kanë përfaqësuesit tanë në Kuvend? Cilat janë shkeljet e rregullores që kanë bërë deputetët në Kuvendin e Shqipërisë? Sa përputhen premtimet e deputetëve me atë që votojnë në parlamentin shqiptar? A e dini se parlamenti shqiptar është i vetmi në Evropë që i siguron secilit deputet nga një automjet dhe nga një shofer personal? A e dini se në parlamentin shqiptar ka tri herë më shumë ish-policë nga të diplomuar në shkenca politike? Po që gratë përbëjnë vetëm 7 për qind të deputetëve në Kuvend, pra më pak se në çdo vend tjetër në Evropë?

Milionerët

Janë të paktën dhjetë deputetët që mund të konsiderohen të tillë dhe që përbëjnë top listën e përpiluar nga Mjaft. I pari ndër ta, është ish-deputeti socialist Tom Doshi, por në të nuk mungojnë as dy ministra demokratë. I pari, Lulzim Basha, pasuria e të cilët dhe origjina e krijimit të saj, është bërë një temë e preferuar e kundërshtarëve të tij socialistë dhe Genc Ruli, ministër i ekonomisë. Sipas kësaj liste, kryeson me llogarinë e tij bankare zoti Doshi që ka deklaruar një vlerë prej 1.090.171.465 lekësh, ndërsa më i varfëri i të pasurve me imunitet, rezulton të jetë socialdemokrati Gëzim Musabelliu me vetëm 54.337.873 lekë. Ndërmjet emrave të tyre është dhe emri i deputetit rebel të agrarëve ambientalistë Nikollaq Nerenxi, por dhe një tjetër socialdemokrat si Pilo Keri. ‘Unë kam qenë i sukseshëm në biznes, ndaj dëgjojeni mirë këtë që po ju them zonja kryetare, që të reflektoni dhe me mënyrën sesi po hartoni buxhetin’, me këto fjalë i është drejtuar Topallit socialisti Paulin Stërkaj që në klubin e të pasurve është regjistruar me 64.524.659 lekët e tij, të cilat i japin të drejtë t’i drejtohet në atë mënyrë Kryetares së Kuvendit. E po këtë gjë mund ta thotë dhe socialisti tjetër Sadri Abazi, i cili u bë javën e fundit personazhi kryesor i aventurës me avionin e rrëmbyer. Ndoshta në këtë klub të pasurish mund të ketë dhe emra të tjerë të munguar, një dyshim ky që ngrihet nga vetë akuzat për pasuri të fshehura që deputetët shkëmbejnë me njëri-tjetrin. Dhe natyrisht bie në sy që mungojnë emrat e gjithë ish-kryeministrave që kanë drejtuar vendin në këto vite të politikës pluraliste, rëndom të konsideruar gjithashtu si milionerë.



Deputetët sipas profesioneve:

Inxhinierë 22
Pedagogë/mësues 21
Juristë, avokatë 18
Mjekë 12
Gazetarë 7
Oficer Policie 7
Agronomë 4
Filologë 3
Profesione të lira/shkrimtarë,
artistë 3
Ushtarakë 3
Biznesmenë 3
Shkenca Politike/Marrëdhënie Ndërkombëtare 2
Shkenca Sociale 2
Biologë 2
Zooteknikë 2
Arkeologë 1




10 Deputetët më të Pasur

Emri Partia Totali i Përafërt i
Pasurisë në LEKË

1 Tom Doshi PS 1.090.171.465
2 Sadri Abazi PS 556.101.795
3 Pilo Keri PSD 150.737.387
4 Ndriçim Babasi PD 127.153.108
5 Sami Gjergji PD 95.167.138
6 Lulzim Basha PD 83.264.591
7 Genc Ruli PD 65.050.816
8 Paulin Stërkaj PS 64.524.659
9 Nikollaq Neranxi PAA 57.070.000
10 Gëzim Musabelliu PSD 54.337.873

nga Lorenc Vangjeli, botuar ne G. Shqiptare
Shtuar më 08/10/2006, ora 22:37
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori