Aksident i rëndë në Lushnje, humb jetën këmbësori
"Detyrim paraqitje" për Tom Doshin
Update- Gjykata e Lartë vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për deputetin Tom Doshi. Në bazë të vendimit të marrë në seancën e sotme, ku u shqyrtua kërkesa e të pandehurit për heqjen e arrestit shtëpiak, Doshit do t’i duhet të paraqitet çdo të hënë në orën 10:00, në strukturat përkatëse të drejtësisë.

Teksa ka dalë nga gjykata, Tom Doshi është shprehur i pakënaqur ndaj vendimit, duke thënë se ishte tërësisht i ndikuar nga presioni qeveritar. Më tej ai ka nënvizuar se do t'u qëndrojë deklaratave të tij në adresë të krerëve të koalicionit qeverisës deri në fund të kësaj çështjeje. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe avokati i tij, Vladimir Meçi. “Gjykata duhet të zbatonte parimin e ligjshmërisë dhe jo atë të oportunitetit. Gjykata tregoi hapur se është nën presionin e politikës, ndaj ne do të vazhdojmë betejën tonë”, ka deklaruar Meçi.

Ai ka bërë të ditur se trupa e avokatëve do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për të shpallur të paligjshme heqjen e mandatit të klientit, ndërsa ka paralajmëruar se do t’i drejtohen Strazburgut. “Strazburgu mbetet objektivi ynë në rast se Kushtetuesja nuk miraton kërkesat tona. Faktori ndërkombëtar na ka inkurajuar në sipërmarrjen tonë, për të mbrojtur jo vetëm deputetin Doshi, por të atyre standardeve të sanksionuara në konventat ndërkombëtare”, ka thënë Meçi.

09:54- Tom Doshi kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë

Rreth orës 09:30, Gjykata e Lartë ka nisur seancën për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj deputetit Tom Doshi.

Avokatët e tij kanë depozituar në Gjykatën e Lartë kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë për deputetin e Shkodrës, i cili ndodhet në "arrest shtëpie".

Ndërkaq, seanca e 21 prillit u shty për shkak të mungesës së dy anëtarëve të Kolegjit Penal, Artan Zeneli dhe Guxim Zenelaj. /albeu.com/

Shtuar më 28/04/2015, ora 11:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori