Todorov nuk heq dore nga mesimi i maqedonishtes
Albeu.com
Mbetet në fuqi vendimi për mësimin e gjuhës maqedonase nga klasa e parë për nxënësit shqiptarë. Madje për ministrin e arsimit Nikolla Todorov, një vendim i tillë nuk është miratuar në mënyrë të përshpejtuar dhe se do të bëjë përpjekje që i njëjti edhe të filloj të zbatohet.
“Nuk mendoj se ai vendim ishte plotësisht i përshpejtuar. Akoma konsideroj se ai është vendim pozitiv. Do të vazhdoj me përpjekje përmes debateve, në një mënyrë përmes bisedave me ekspertë, përmes bisedave me prindërit, përmes bisedave me profesorët, ndoshta edhe me nxënësit në ndonjë nivel, sigurisht që jo në mënyrë direkte, të përpiqemi që ti gjejmë efektet pozitive nga ky vendim”, deklaroi Nikolla Todorov, ministër i Arsimit.
Nga ana tjetër Todorov, theksoi se letrën që i dërgoi gjykatës kushtetuese me të cilën kërkon që të mos shqyrtohet kërkesa e organizatës joqeveritare “Realiteti” dhe e Rinisë demokratike shqiptare lidhur me kushtetushmërinë e mësimit të maqedonishtes nga klasa e pare, e vlerëson si procedurë normale me të cilën qeveria i përgjigjet iniciativave të dërguara në gjykatën kushtetuese. Ndërkohë shefi i misionit të OSBE-së në Shkup, Hoze Luis Herero, lidhur me studimin për problemet ndëretnike nëpër shkolla, theksoi se ato do të tejkalohet pikërisht me integrimin e fëmijëve në shkollë.
“Rezultatet e studimit janë shumë interesante dhe në bazë tregojnë ekzistimin e problemeve të ndryshme. Konkluzioni që të gjithë se bashku e arrijmë është se me rëndësi është integrimi i të gjithë komuniteteve që nga shkolla”, deklaroi Hoze Luis Herero, shef i misionit të OSBE-së në Shkup.
Sipas studimit të OSBE-së për problemet mes nxënësve të bashkësive të ndryshme etnike nëpër shkolla rol të madh luan politika, kurse arsimtarët shpesh herë me komentet fyese mbjellin urrejtje te fëmijët ndaj fëmijëve të etniteteve të tjera. Për këtë qëllim nga Ministria e Arsimit informuan edhe hapjen e Akademisë për trajnimin e arsimtarëve dhe drejtorëve në fushën e multikulturalizmit. (alsat-m)
Shtuar më 05/02/2010, ora 00:21
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori