TMK-ja është bërthamë e ushtrisë së ardhshme të Kosovës, tha Kryeministri Kosumi
Albeu.com
Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, i shoqëruar edhe nga disa ministra vizitoi Shtabin e Përgjithshëm të TMK së dhe Komandën e Trajnimit dhe Doktrinës dhe bisedoi me komandantin e TMK së, gjeneralin Agim Çeku, duke i shprehur përkrahjen e qeverisë."Qeveria e Kosovës do të përkrahë dhe do të ndihmojë në të gjitha fushat progresin e mëtejshëm të TMK-së dhe do të përpiqet që të zgjidhë problemet dhe vështirësitë që dalin në rrugën e këtij progresi", tha Kryeministri Kosumi.
Kosumi u shpreh se në të ardhmen Kosova do të ketë një ushtri dhe TMK-ja do të jetë bërthamë e kësaj ushtrie. Mirëpo, ai tha se kjo shtron edhe kërkesa shumë serioze e të mëdha para kuadrit komandues të TMK_së. Ai kërkoi të vazhdojë rruga e profesionalizimit të të gjithë pjesëtarëve të TMK-së dhe shkollimit më të madh të tyre, në mënyrë që ajo të jetë e përgatitur për këtë proces të ri historik, theksoi Kosumi.
Po ashtu Kosumi tha se TMK-ja do të jetë pjesë e sistemit të sigurisë që është në fazën fillestare, të parapërgatitjeve për rishqyrtimin e sistemit të sigurisë në Kosovën e pas statusit final dhe shtoi se TMK-ja do ta ketë vendin e vet.
Ndërkaq komandanti i TMK-së Agim Çeku tha se ka hasur në mirëkuptim të Kryeminsitrit dhe qeverisë së Kosovës si dhe mbështetje të fuqishme për kërkesat e saj reale që i ka. Ai premtoi një bashkëpunim të mëtejshëm me qeverinë në të mirë të TMK-së dhe Kosovës. QIK
Shtuar më 22/06/2005, ora 21:52
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori