Tmerroi të moshuarit me sëpatë në dorë për t'i vjedhur, arrestohet fieraku
Një grabitje e dhunshme ka tmerruar një çift të moshuarish mbrëmjen e kaluar në fshatin Pishë të Fierit. 47-vjeçari i identifikuar si Pajtim Dhana, përdori sëpatë për të hyrë me dhunë në shtëpine e shtetasit Vangjel Prifti dhe ti merrte 30 mijë lekë të reja.

Policia ka nisur hetimet pasi mori informacionin dhe brenda pak orëve ia ka dalë që të vendosë në pranga Dhanën.

Njoftimi i plotë: Policia zbardh në kohë rekord ngjarjen e ndodhur në fshatin Pishë të Fierit. Vodhi me dhunë një çift të moshuarish, falë reagimit të shpejtë e profesional, Policia identifikoi dhe arrestoi autorin e dyshuar.

Policia sekuestroi edhe shumën e parave të vjedhura si dhe një sopatë me të cilën autori kërcënoi çiftin e të moshuarëve. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier pas telefonatës së marrë rreth orës 23:00, se në fshatin Pishë të Fierit kishte ndodhur një vjedhje me dhunë, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje së bashku me grupin hetimor.

Falë profesionalizmit dhe reagimit në kohë, policia bëri të mundur identifikimin e autorit dhe pas disa orë ndjekjeje dhe kërkimesh bëri të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit P. Dh., 47 vjeç, banues në Pishë.

Gjithashtu shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale paratë dhe mjetin prerës sopatë.

Nga veprimet e para hetimore te kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, rezultoi se ky shtetas, rreth orës 23:00 të një natë më parë, është futur me forcë duke thyer derën e banesës së shtetasit V. P., 70 vjeç, dhe nën kërcënimin e një arme të ftohtë (sopatë) ka arritur të marrë me dhunë 30 mijë lekë të reja dhe më pas është larguar.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Shtuar më 06/09/2020, ora 10:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori