Tkurret "Green Card"-i dhe lotaria amerikane
Albeu.com
Miratimi i reformës dhe projektligjit për imigrantët e parregullt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pritet që të ulë ndjeshëm numrin e përfituesve nga programi i "Green Card", madje dhe nga programi, që në mënyrë popullore njihet si lotaria amerikane.Sipas specialistit të imigracionit, në Ministrinë e Punës, Durim Hatibi, ajo çka e dallon dukshëm këtë projektligj nga ato të propozuara në kohë është dispozita, sipas të cilës do të ulet në mënyrë drastike kuota e vizave të parashikuara për kategorinë e imigrimit të vazhdueshëm e njohur, rëndom, si "Green Card"-i. Ai shton se kjo e zhvendos dukshëm të gjithë sistemin nga kategoria e imigrimit e mbështetur në lidhje familjare, drejt një miksi të baraspeshuar, mes "sponsorizimit familjar" dhe "hyrjeve në bazë të aftësive të provuara". Nëse do të zbatohej, projektligji do të eliminonte kategorinë e sponsorizimeve familjare për fëmijë të rritur mbi 18 vjeç dhe të afërm të tjerë përveç prindërve. Ardhja e këtyre të fundit do të disiplinohet në kategorinë e ribashkimeve familjare me kuota vjetore numerike. Pjesa "e fituar" numerikisht nga këto reduktime në sistemin e "sponsorizimeve familjare" do të kalojë në të mirë të sistemit të ri "bazuar në merita" përmes një sistemi pikëzimi të hyrjeve, që do të zëvendësojë edhe atë të thirrjeve nga ana e punëdhënësve. Kandidatët imigrantë mund të fitojnë pikët e domosdoshme, por edhe më shumë, po sipas aftësive, bazuar në përvojë pune, mundësitë e punësimit në një sektor, ku kërkohen kualifikime të larta, apo që përjeton rritje të shpejta, arritjet në kualifikimin arsimor, aftësitë, apo niveli i zotërimit të gjuhës angleze, shto edhe një numër të kufizuar pikësh, kur je fëmijë i rritur, ose i afërm i një shtetasi të SHBA-së, apo zotëruesi të një leje të vazhdueshme qëndrimi ("Green Card", apo LPR). Imigrantëve, që fitojnë më shumë pikë, do t‘u mundësohet hyrja, çdo vit, derisa të plotësohet kuota vjetore e paravendosur. Gjithashtu, specialisti Hatibi, duke iu referuar kanaleve zyrtare pohon se "po sipas këtij projektligji, parashikohet eliminimi i kategorisë së "Diversity Visa", apo i njohur me emrin popullor lotaria amerikane, sipas së cilës përzgjidhen imigrantë nga vende që dërgojnë pak të tillë në SHBA. Por çfarë është programi i punësimit të përkohshëm që parashikon të reformojë tërësisht hyrjen e imigrantëve në SHBA? Në thelb, ai është zbatimi në praktikë i një modeli evropian të kahershëm, përkatësisht i nisur dhe zbatuar nga Gjermania, ai i "punëtorëve të ftuar". Programi kombëtar amerikan parashikon punësim të përkohshëm deri në pesë vite, të ndarë në periudha dyvjeçare, me një vit të ndërmjetëm mes tyre, që punëtori me punësim të përkohshëm duhet ta kalojë në vendin e origjinës. Në të vërtetë, gjasat janë që shumë pak nga kjo kategori punëtorësh imigrantë të ndryshojë statusin duke kaluar në atë të qëndrimit të vazhdueshëm. Këta punëtorë mund të sjellin familjet e tyre në SHBA, sigurisht nëse plotësojnë kërkesat për realizimin e të ardhurave të kërkuara për mbajtjen e tyre dhe ato lidhur me sigurimet shoqërore. Projektligji parashikon edhe lëshimin e vizave shtesë për punëtorët e përkohshëm jo stinorë, që vijnë në SHBA njëherë, për dhjetë muaj, duke kaluar dy muaj të ndërmjetëm në vendin e origjinës, mes dy periudhave 10-mujore. Së fundi, sipas këtij projektligji, do të rriten kuotat e vizës H-1B, aktualisht nga 65 mijë në 115 mijë veta për çdo vit.

Të parregulltit

Ligjësimi i imigrantëve të paautorizuar

Projektligji do të hapë një shteg, lidhur me statusin e rezidentit të vazhdueshëm për imigrantët e parregullt, por tashmë të pranishëm në territorin e SHBA-së, deri më 1 janar 2007. Specialisti i imigracionit, Hatibi, sqaron se për këta imigrantë është parashikuar një kategori vize Z e përkoshme, që mund të merret pas pagesës së një gjobe administrative dhe tarifave të kërkuara, shoqëruar edhe nga një kontroll i historisë së tyre personale. Viza B do të jetë e vlefshme për katër vjet. Imigrantët që zotërojnë këtë vizë mund ta ripërtërijnë, pas pagesës së një tarife dhe pasi provojnë se kanë njohuri të mira të gjuhës angleze, apo që janë regjistruar në kurse të mësimit të kësaj gjuhe. Viza Z mund të shtyhet përsëri, sigurisht pas shlyerjes së detyrimit tarifor dhe pasi kalohen me sukses disa teste, lidhur me nivelin e zotërimit të gjuhës angleze dhe të edukatës qytetare, çka do të thotë, se kësaj kategorie i lind mundësia për të paraqitur kërkesë për marrjen e statusit të rezidentit të vazhdueshëm. Mes tjerash, mbajtësi i vizës Z, me cilësinë e kryefamiljarit duhet të rikthehet në vendin e origjinës, nga ku paraqitet kërkesa për rihyrje, paguhet tarifa dhe një gjobë administrative 4 mijë dollarë amerikanë, shoqëruar me raporte të gjendjes shëndetësore. Mbajtësit e kësaj vize Z kanë pesë vjet për të fituar statusin e rezidentit të vazhdueshëm, përmes një sistemi të modifikuar të sistemit të pikëzimit.
Gazeta Shqip
Shtuar më 02/07/2007, ora 14:56
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori