Tiranë, përfundon rikonstruksioni i rrugës “Brigada e VIII”
Me një investim prej rreth 30 milionë lekësh, ka përfunduar rikonstruksioni i rrugës “Brigada e VIII”. Kjo rrugë ka një gjerësi 6 metra dhe trotuare në të dy anët e rrugës, me gjerësi 2 m. Rruga është e pajisur me ndriçimin rrugor dhe gjelbërim ku janë vendosur 18 shtylla ndriçimi dhe janë mbjellë 103 fidanë. Në këtë rrugë është ndërtuar sistemi i kanalizimeve të ujërave të bardha, sistemi i ujësjellësit.
“Rindërtimi i rrugës “Brigada VIII”, kësaj rruge që është në zemër të Bllokut, në zemër të Tiranës tregon në radhë të parë se përpjekja e Bashkisë për të kthyer një standard jete në Tiranë, me norma evropiane, një Tiranë ku jetohet më mirë, shijohet më mirë jeta dhe punohet më mirë nuk është e domosdoshme dhe e nevojshme vetëm në periferi apo në lagjet e Tiranës por edhe këtu në zemër të Tiranës dhe kjo përpjekje po shtrihet kudo ku nevojat janë të evidentuara e pa asnjë paragjykim. Siç e shikoni dhe siç tregojnë qartë fotot e së kaluarës, konkluzioni i dytë është se kemi të bëjmë me një model të ri i cili në thelb ka punën me cilësi, që kryhet për shkak të një planifikimi transparent” – u shpreh kryetari i Bashkisë, Basha.

Kryebashkiaku Basha ka garantuar banorët se përveç dy rrugëve të rikonstruktuara në këtë zonë, ish- Blloku do i nënshtrohet një rikualifikimi urban.

“Duke siguruar banorët e kësaj zone, që jo vetëm kjo rrugë apo rruga tjetër paralel që do të inaugurojmë së shpejti por edhe gjithë zona do i nënshtrohet një rikualifikimi urban të këtyre parametrave, kërkoj nga qytetarët që të na japin mundësinë, forcën dhe resurset për të ecur përpara e për të mos u kthyer pas, duke bërë asgjë më shumë se krahasimin mes këtij modeli që kemi sot përpara, përpara syve tanë dhe modeleve të së kaluarës. Dua të falënderoj në veçanti kompaninë që kreu punimet brenda një kohe të shkurtër e me cilësi të lartë, biznesin në të dy anët e rrugës, për mirëkuptimin gjatë kohës që rruga ishte bllokuar por jam i sigurt që tashmë do të japë efektet dhe frytet e veta edhe në aktivitetin e tyre dhe gjithë banorët e rrugës “Brigada VIII”, të gjithë pa përjashtim si dhe të siguroj banorët e kësaj zone të qytetit se përpjekja jonë këtu sapo ka filluar” – theksoi Basha. /albeu.com/
Shtuar më 06/06/2013, ora 12:51

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori