Tiranë, përfundon rikonstruksioni i kopshtit 39
Pëlqej
120 fëmijët që frekuentojnë kopshtin nr.39 në kryeqytet, nga sot do të kenë ambiente komode, të rehatshme dhe të ngrohta në kopshtin e tyre. Falë një investimi të Bashkisë së Tiranës, prej 7.9 milionë lekësh, është kryer rikonstruksioni i tij si dhe është instaluar sistemi i ngrohjes me peleta.

Është bërë edhe një risistemim i ambienteve të brendshme, duke u shtuar dhe ambiente të reja. Janë rikonceptuar banjot, për tu bërë funksionale për fëmijët. Është vendosur sistemi i mbrojtjes nga zjarri, si një standard për godinat arsimore. Kryebashkiaku Basha ka parë nga afër përfundimin e punimeve në këtë kopësht, i ndryshuar tërësisht.

“Në njësinë bashkiake nr.4, së bashku me kryetarin e kësaj njësie bashkiake dhe banorët, ne kemi nisur një sërë projektesh të cilat synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve por edhe cilësisë së jetës së vogëlushëve. Sot, përurojmë përfundimin e njërit prej këtyre investimeve që është kopshti nr.39, i cili është rindërtuar në të gjithë parametrat e tij, mundëson një kapacitet trajtimi të 120 fëmijëve, ka sistem ngrohje me peleta, është rehabilituar në të gjithë komponentët e sallave të qëndrimit, sallave të fjetjes, kuzhinës dhe çdo parametër tjetër” - u shpreh kryetari i Bashkisë Lulzim Basha.

Instalimi i sistemit të ngrohjes në kopshtin nr.39 përfshihet në projektin: “Instalim i sistemeve të ngrohjes në 5 kopshte”, atë me nr.2, 6, 20, 38, një investim i Bashkisë së Tiranës, me vlerë 29. 5 milionë lekë. Zoti Basha theksoi se në vitin 2015, të gjitha kopshtet dhe çerdhet e Tiranës do të kenë sistem të ngrohjes dhe 95% e shkollave 9 vjeçare dhe të mesme.

“Natyrisht, nuk ndalemi këtu! Sot, jemi në përfundim të ngrohjes në 5 kopshte. Brenda këtij viti, zbatimi i sistemit të ngrohjes në të gjithë çerdhet dhe kopshtet e qytetit të Tiranës do të jetë në avancim të plotë dhe në muajt e parë të vitit të ardhshëm, të gjithë kopshtet dhe çerdhet e Tiranës do të kenë 100% ngrohje, sikundër 95% e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Ky është një objektiv madhor i Bashkisë së Tiranës, angazhim financiar, projektues dhe ndërtues. Sigurisht, është një objektiv i kësaj administrate por që në fakt duhej të ishte përmbushur prej kohësh. Nga kjo pikëpamje, Tirana e shekullit të XXI kishte pra një sfidë të madhe për të mbyllur, që është pikërisht sistemi i ngrohjeskopshtet, çerdhet, shkollat 9-vjeçare dhe të mesme. Me punë dhe jo me fjalë, po provojmë se kur ne vendosim një objektiv, kur e kthejmë atë në prioritet, asgjë nuk na pengon që këtë prioritet ta plotësojmë, madje as mangësitë dhe as defektet e së shkuarës” - deklaroi kryebashkiaku Basha.
Shtuar më 08/10/2013, ora 14:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori