Tiranë, përfundon ndërtimi i rrugës “Mahmut Fortuzi”
Tre mijë banorët e rrugës Mahmut Fortuzi nga sot do t’u ofrohet lëvizja në një rrugë të re. Me një investim prej 6 milionë lekësh, është bërë i mundur rindërtimi i kësaj rruge e cila lidh rrugën e “Barrikadave” me Unazën, në Njësinë Bashkiake Nr. 9.

Përgjatë kësaj rruge është ndërtuar sistemi i kanalizimeve të ujërave të bardha, pastrimi i kanalizimeve të ujërave të zeza dhe lidhja e kanalizimeve të ujërave të zeza me disa pallate, pasi për shkak të amortizimit, banorët vuanin vazhdimisht nga shpërthimi i tyre nëpër rrugë. Përgjatë rrugës janë vendosur dhe 18 shtylla, që do të bëjnë ndriçimin e rrugës.

Kryebashkiaku Basha ka marrë sot mirënjohjen e banorëve, të cilët për vite me radhë janë detyruar të jetojnë në kushte të mjerueshme sipërfaqësore dhe të infrastrukturës nëntokësore, me një rrjet kanalizimesh të ndërtuar prej qeramike, para shumë dekadash.

“Përfundimi i kësaj rruge është jo vetëm mbajtja e një premtimi dhe përfundimi i një projekti të hartuar me buxhetin e vitit 2012, përmirëson thellësisht cilësinë e jetës së banorëve të kësaj rruge por po kështu është edhe fillimi i rikualifikimit urban të gjithë bllokut. Së shpejti, me punimet e rrugës “Siri Kodra” do të bëhet edhe rehabilitimi i disa rrugicave, siç është “Vildan Luarasi”, një rrugicë e cila lidhet edhe me këtë rrugë dhe po kështu çdo rrugicë dhe çdo shesh i ndodhur në këtë aks do i nënshtrohet një rikualifikimi të plotë urban, me asfaltim, trotuare, me ndriçim aty ku është dëmtuar apo nuk ekziston dhe me gjelbërim” – u shpreh z. Basha.

Kreu i Bashkisë Lulzim Basha ka garantuar banorët, se së bashku me ta, duke lënë njëherë e përgjithmonë pas konfliktin politik dhe duke vijuar përpara në bashkëpunimin me qeverinë, do të vijojnë investime të cilat do të përmirësojnë rrënjësisht jetën e banorëve të kryeqytetit.

Shtuar më 08/06/2013, ora 14:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori