Tiranë, nis rikonstruksioni i rrugës “Brigada e VIII-të”
Me një investim prej rreth 29 milionë lekësh, ka nisur puna për rikonstruksionin e rrugës “Brigada e VIII-të”, në njësinë bashkiake nr. 5 në kryeqytet.


Zv/Kryetari i Bashkisë Petrit Vasili, gjatë inspektimit të punimeve tha se kjo rrugë është në vazhdën e të gjithë përmirësimeve të ndjeshme që po pëson infrastruktura e kryeqytetit.

“Sot, merr përgjigje një aks i cili ishte bërë me të vërtetë problematik, një rrugë 400 metra, me një investim që shkon në 30 milionë lekë të reja. Siç e inspektuam së bashku, rruga shkon në 8 metra gjerësi dhe për profilin që ka merr një pamje të nivelit bashkëkohor, pra me 6 metra gjerësi, trotuare 2 metra. Rruga do të ketë një ndriçim të plotë, i cili i ka munguar kësaj rruge dhe njëkohësisht do të mbillen edhe rreth 100 e ca fidanë të rinj. Në këtë mënyrë rruga do të marrë një pamje normale, ashtu siç i takon një qyteti dhe specifikisht kësaj zone të njohur si ish-Blloku. Pas punëve të rëndësishme në akset e mëdha, në vazhdën e këtij përmirësimi ecin në përgjithësi të gjithë rrugët e Tiranës në këto lloj aksesh, duke u bërë kësisoj jetike për qytetarët e kryeqytetit” – u shpreh z. Vasili.

Koha e përfundimit është parashikuar rreth 6 muaj por kompania përkatëse po punon me një ritëm të lartë, në mënyrë që punimet të përfundojnë më shpejt se afati i parashikuar. Projekti parashikon punime për ndriçimin rrugor, ndërtimin e sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimeve, ndërkohë që ky projekt i cili pason dhe 5 investime të tjera në infrastrukturën e njësisë 5, i paraprin dhe tre investimeve të tjera të parashikuara në këtë njësi bashkiake.


KJo rrugë është një segment i rëndësishëm pranë qendrës së qytetit dhe ka një gjatësi 357 metra e gjerësi 6 metra. /albeu.com/
Shtuar më 19/01/2013, ora 13:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori