Tiranë, takimi Ahmeti dhe Berisha
Albeu.com
Kryeministri shqiptar Sali Berisha dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti janë shprehur fuqimisht për mbështetjen e procesit të integrimit të rajonit në NATO, respektimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe bashkëpunimin rajonal.Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti zhvilloi sot në Tiranë takimin me kryeministrin shqiptar, Sali Berisha.
Kryeministri Berisha vlerësoi para gazetarëve, qëndrimin e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të Ahmetit, qëndrimin e Partisë Demokratike Shqiptare dhe forcave të tjera politike, të cilat tha ai, "kanë vendosur atlantizmin dhe integrimin e Maqedonisë në NATO, si interesin më të mirë kombëtar, si interesin më të mirë të Maqedonisë e rajonit dhe kanë ndërtuar në këtë periudhë të gjitha qëndrimet politike në funksion dhe në kontribut të procesit të integrimit, duke luajtur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm”.
Gjithashtu, Berisha siguroi se qeveria shqiptare mbështet zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, në dobi të paqes dhe stabilitetit.
"Qeveria shqiptare mbështet dhe do të mbështesë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si një marrëveshje paqeje dhe stabiliteti për vendin fqinj mik, Maqedoninë”, tha kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha.
Ahmeti informoi për gatishmërinë e shprehur nga shumë komuna në Maqedoni për të ndihmuar bashkinë e Vorës pas tragjedisë së Gërdecit, ku sot arriti në 23 numri i të vdekurve nga shpërthimi i armatimit.
Kreu i BDI mori falënderime nga kryeministri Berisha për solidaritetin, mbështetjen dhe kontributin që ka dhënë qeveria e Maqedonisë në përballimin e kësaj tragjedie.
Në takimin është folur mbi zhvillimet në rajon dhe veçanërisht në Republikën e Maqedonisë. Ahmeti e njohu kryeministrin shqiptar me zhvillimet politike në Maqedoni, veçanërisht në kuadër të përpjekjeve për anëtarësimin e vendit në NATO, në prag të Samitin e Bukureshtit. Në këtë pikë, Berisha përshëndeti qëndrimin e forcave politike shqiptare në Maqedoni për qëndrimet e tyre në interes të integrimit të vendit në NATO.
Gjatë konferencës për shtyp pas takimit, Ahmeti tha: "Tani ndodhemi në prag të një ngjarjeje jashtëzakonisht historike për ne si Maqedoni, por edhe Shqipërinë. Të dy vendet presim ftesën për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit, për të cilën kemi punuar në vazhdimësi".
Lideri i BDI-së shtoi se është kryer punë jashtëzakonisht e mirë, konstruktive dhe këtë angazhim maksimal do ta japin deri në anëtarësimin e plotë të Maqedonisë.
Ahmeti deklaroi edhe se "tani do të hapim çështje, siç janë zyrtarizimi i gjuhës shqipe dhe probleme të tjera që ne i kemi afirmuar edhe në marrëveshje me kryeministrin e Maqedonisë dhe partitë në pushtet në Maqedoni". (INA)
Shtuar më 26/03/2008, ora 00:44
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori