Tiranë-Shkup, përplasje pas përleshjeve në Tetovë
Pëlqej
Albeu.com
Shteti shqiptar ka përgënjeshtruar zërat se mes viktimave të ngjarjeve të djeshme në Tetovë gjendej edhe një shtetas nga Shqipëria, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.Nëpërmjet një njoftimi zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, sqarohet se shtetasi Fatos Aliaj nuk është i arrestuar apo i vrarë në ngjarjet e Tetovës. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në një deklaratë për shtyp shpjeguan se Fatos Aliaj nuk është një ndër viktimat e Maqedonisë. "Në lidhje me disa informacione të publikuara nga mediat maqedonase dhe kosovare, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit sqaron se shtetasi Fatos Aliaj është shpallur person në kërkim ndërkombëtarë që në vitin 2000", u detajua në deklaratën për shtyp. Më tej, Policia e Shtetit sqaron se personi i lartpërmendur është deklaruar fajtor nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë. Sipas të dhënave, me vendimin nr. 62, në datën 27.04.2000, Fatos Aliaj është dënuar me 12 vite burg për veprën penale të "Grabitjes me armë", e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 139 dhe 25 të Kodit Penal. "Nga informacionet zyrtare të marra nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë, konstatohet se shtetasi Fatos Aliaj nuk është i arrestuar apo i vrarë në ngjarjet e ditës së djeshme në Tetovë. Theksojmë se Aliaj është në kërkim ndërkombëtar që prej 7 vitesh", përfundoi shpjegimin e saj Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Dy ditë më parë, një aksion i njësive speciale të Maqedonisë në Malësinë e Sharrit, në një fshat të banuar nga shqiptarë, ka tensionuar situatën në vend nga egërsia e tij, ku si përfundim, sipas burimeve zyrtare, janë vrarë gjashtë persona dhe është terrorizuar një fshat i tërë. Të mërkurën, që në orët e para të mëngjesit policia speciale maqedonase ka ndërmarrë një aksion në fshatrat e Malësisë së Sharrit, në veriperëndim të Tetovës. Sipas banorëve shqiptarë, ka shtëpi të djegura nga zjarri i forcave policore. Po ashtu është rrëzuar edhe minarja e xhamisë së fshatit Brodec.

Politika shqiptare reagon për situatën në Maqedoni


Zogaj: Shkupi të shmangë alibitë


Kryetari i komisionit parlamentar të Politikës së Jashtme, Preç Zogaj, i cilëson ngjarjet e fundit në Maqedoni si dramatike dhe tragjike. Zogaj u bën thirrje partive politike të Maqedonisë, veçanërisht atyre shqiptare, që të tregojnë maksimumin e kujdesit në këtë moment që duket delikat. "I bëjmë thirrje qeverisë së Shkupit që të shmangë përdorimin e alibive, apo justifikimeve për të krijuar represion, duke diferencuar qartë se çfarë është e papranueshme dhe çfarë është brenda kuadrit demokratik", tha Zogaj, duke theksuar se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është garanci për ruajtjen e stabilitetit në Maqedoni.

Duke shprehur shqetësimin e Shqipërisë për situatën në Maqedoni, Zogaj theksoi se i njëjti shqetësim vlen edhe për ndërkombëtarët.







Veteranët akuzojnë policinë


Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Besim Hoda, dje pasdite në Tetovë deklaroi se në fshatin Brodec është vrarë një banor civil. "Ne kemi informata se është vrarë një 17-vjeçar dhe është plagosur një ish-pjesëtar i UÇK-së. Në këtë skenar është shumë e dhimbshme që kanë rënë në kurth subjektet politike shqiptare. Në fshatin Brodec nuk ka pasur grupe të tilla, siç është parashikuar. Asnjë herë nuk është vërtetuar saktë prania e tyre, as me foto apo dëshmi të tjera", ka theksuar Hoda. Pjesëtarët e policisë speciale dhe patrullat e përziera etnike janë të pranishme nëpër tërë territorin e Malësisë së Tetovës.


Në një deklaratë kundërshtohet dhuna


LSI bën thirrje për maturi nga palët


Lëvizja Socialiste për Integrim shprehu dje shqetësimin e saj të thellë për tensionimin e situatës në Maqedoni, ku mbetën të vrarë 6 shqiptarë dhe u plagosën disa të tjerë. LSI gjykon se keqpërdorimi i forcës, dhuna dhe bastisjet ndaj popullsisë civile nuk përbëjnë mënyrën për të luftuar krimin. Ata u bënë thirrje partive politike shqiptare në Maqedoni që të kontribuojnë në stabilizimin e situatës dhe të mos bien pre e nxitjeve që do të dëmtonin stabilitetin e Maqedonisë. Duke vlerësuar se bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoni, bazuar në Marrëveshjen e Ohrit, është e vetmja rrugë për ruajtjen e stabilitetit në këtë vend dhe vazhdimin e procesit të integrimit të saj në strukturat euroatlantike. "Shprehim bindjen se çdo përpjekje për të cenuar stabilitetin në Maqedoni, me qëllim dëmtimin e procesit të statusit të Kosovës, do të dështojë, sepse procesi i pavarësimit të Kosovës është i pakthyeshëm", përfundon deklarata e LSI-së.
G. Shqip
Shtuar më 09/11/2007, ora 20:23
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori