Tirana sot pret Fatmir Sejdiun
Pëlqej
Albeu.com
Me ftesë të presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, sot do të niset për një vizitë treditore në Shqipëri, presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.Presidenti Sejdiu dhe delegacioni që e shoqëron do të zhvillojë bisedime zyrtare me presidentin Topi në Pallatin e Brigadave, ndërkaq gjatë bisedimeve – sipas një komunikate të Presidencës së Shqipërisë – do trajtohen çështje dypalëshe të bashkëpunimit politik, ekonomik, arsimor, kulturor etj., në interes të dy vendeve tona.

Presidenti Topi dhe presidenti Sejdiu do të shkëmbejnë mendime edhe për çështje të integrimit euroatlantik të dy vendeve, për bashkëpunimin rajonal si dhe për perspektivën e të ardhmes së shtetit të ri të Kosovës në nismat rajonale. Të dy Presidentët do ndalen edhe në ecurinë e procesit të njohjes së Kosovës për të shtuar dhe koordinuar më mirë përpjekjet dypalëshe në këtë drejtim.

Në ditën e parë të vizitës në Shqipëri, Sejdiu do t’u drejtohet me një mesazh deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe do të ketë takime të veçanta me kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli dhe kryeministrin, Sali Berisha.

Në ditën e dytë të kësaj vizite presidenti Topi dhe presidenti Sejdiu do vizitojnë segmentin Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës që do lidhë Shqipërinë me Kosovën.

Po në ditën e dytë të vizitës në Shqipëri, Presidenti Sejdiu do vizitojë qytetin e Shkodrës.
Shtuar më 03/11/2008, ora 15:58
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori