Tirana i bashkohet nismës ndërgjegjësuese për parandalimin e kancerit të gjirit (FOTO LAJM)

Pëlqej
Me rastin e muajit ndërkombëtar kundër kancerit të gjirit, në kryeqytet u zhvillua sot një vrapim për të sensibilizuar gratë dhe vajzat mbi diagnostifikimin dhe parandalimin e hershëm të kësaj sëmundjeje, e cila po njeh rritje vit pas viti në vendin tonë. Nën moton “Vrapo me Shpresë”, të rinj e të reja dhe qytetarë vrapuan në pistën që rrethon Parkun e Liqenit Artificial për të përcjellë mesazhin e shpëtimit të jetës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u bëri apel vajzave dhe grave që të mos hezitojnë për të zbuluar dhe parandaluar në kohë këtë sëmundje, përmes kontrollit të vazhdueshëm. “Ka ende ditë në këtë muaj tetori për të shfrytëzuar mundësinë për të bërë ekzaminimin falas, ndërkohë nuk ka arsye pse të ndalojë në tetor. Është diçka që duhet të vazhdojë gjatë gjithë vitit. Është mëkat sot, me aq sa ka evoluar shkenca, spitalet, mjekësia, që të neglizhojmë sëmundje që mund të kurohen po të kapen herët. Mukajeti s’duhet të jetë sebep për të mos kryer një kontroll”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se kjo nismë është një kauzë për të ndryshuar mentalitetin dhe ftoi edhe djemtë dhe burrat që të bëhen pjesë e këtyre nismave që kanë në epiqendër njeriun. “Sikur çdo mashkull shqiptar të këmbëngulë që nëna, motra, vajza e tij, një e afërme, kushërira, të bënte checkup-in për kancerin e gjirit, do të kishim sot të paktën të njëjtin kujdes për njeriun siç kemi edhe për makinën. Kjo e sotmja është një garë për të ndryshuar mentalitetin, për të ftuar djemtë dhe vajzat të bëhen pjesë e këtyre kauzave, ku njeriu, shëndeti, jo makina, jo rraqet, duhet të jenë epiqendra e vëmendjes sonë”, u shpreh ai.

Veliaj shtoi jo pa ironi se nuk mund t’i kushtojmë më shumë vëmendje makinës se sa njeriut. “Këto ditë po diskutojmë buxhetin e vitit tjetër dhe 9 nga 10 pyetje është më shumë rrugë për makinën, kurse vetëm 1 për gjelbërimin, për ajrin e pastër, për korsi biçikletash, për një park më shumë, kënd lodrash a çerdhe. E di që Tirana ka nevojë për gjithçka, ama nuk mund të jenë raportet ku 9 nga 10 kërkesat të jenë për makinën. Revolucioni i vërtetë është në kokë dhe në qoftë se arrijmë dhe trajtojmë njeriun me të njëjtin respekt që trajtojmë makinën, atëherë sigurisht që do bëjmë hapa përpara”, tha ai, duke u shprehur mirënjohjen gjitha grave dhe vajzave për sakrificën dhe përkushtimin për familjen dhe qytetin.
Shtuar më 27/10/2018, ora 14:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori