Tirana do të ketë parlamentin e saj rinor
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka lançuar iniciativën e tij më të re, parlamentin rinor të Tiranës. I ftuar nga shkolla e mesme “Qemal Stafa”, në kremtimin e marrjes së çmimit “Prizmi i artë 2012”, për rezultatet më të larta të maturës shtetërore, kreu i bashkisë tha se ky parlament do të përbëhet nga presidentët dhe kryeministrat e qeverive studentore të 15 shkollave të mesme të Tiranës.

“Kam zgjedhur këtë moment, për të ndarë me ju dhe përmes jush me të gjithë komunitetin e gjimnazistëve të Tiranës vendimin tim, që duke filluar nga ky muaj, presidentët dhe kryeministrat e qeverive që ju keni formuar në shkollat e mesme të Tiranës, të formojnë parlamentin rinor të Bashkisë së Tiranës dhe nëpërmjet këtij parlamenti të vendosim se si do të përdorim më së miri ato fonde që Bashkia e Tiranës ka ndarë për gjimnazistët dhe shkollat e mesme të Tiranës. Unë e di që këto qeveri të gjimnazeve kanë disa funksione vendimmarrëse por besoj se ky është funksioni i parë vendimmarrës, ku faktikisht do të merren edhe me shpërndarjen e vlerave monetare dhe mendoj se kjo punë mund të bëhet dhjetëra herë më mirë, në bashkëpunim me ata që ju përfaqësojnë juve, gjimnazistët e suksesshëm të qytetit tim, se sa thjesht nga burokracia bashkiake, sado e përgatitur të jetë” – u shpreh Kryebashkiaku Basha.

Basha u ka premtuar gjimnazistëve edhe shpërblime të veçanta për më të mirët e konkurseve që organizon Bashkia e Tiranës, tashmë edhe me ndihmën e parlamentit rinor. /albeu.com/
Shtuar më 10/01/2013, ora 15:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori