“E shëmtoi Shqipërinë” Rama: Protestat në vend i pëlqejnë Rusisë, pjesë e strategjisë së luftës

Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me pensionistët për Paketën e Rezistencës Sociale ka komentuar gjatë protestat që po zhvillohen në vend, kundër rritjes së çmimeve.

Rama insiston se rritja e çmimeve është pasojë e luftës në Ukrainë dhe protsat i cilëson të turpshme që kanë shëmtuar Shqipërinë dhe kanë kënaqur Rusinë.

“Kjo protestë e shëmton Shqipërinë, e turpëron shqiptarin. Në pak ditë që ka filluar lufta ka pasur një shok në çmime. Ça do të bëjmë ne nëse kjo vazhdon me muaj e vite? Do të dalim të hamё njëri-tjetrin në rrugë? Si mund të jemi ne i vetmi vend që del e proteston për pasojat e luftës mbi çmimet

Ku në asnjë vend tjetër ku efektet janë njësoj, të dalin njerëzit të protestojnë kundër luftës. Këtu bëhet një protestë që mund t’i pëlqejë Rusisë. Sepse kjo është pjesë e strategjisë së asaj lufte. Që vendet që protestojnë për Ukrainën të ngrihen për krizën ekonomike dhe të harrojnë çfarë po ndodh atje. Atje nuk luhet fati i Ukrainës por i gjithë Europës.

Si mund të jemi ne pa karakter, moral e logjikë, ndërkohë që qeveria ka muaj të tërë që po faturon nga buxheti i vetë faturën e energjisë, dhe sapo shfaqen shenjat e luftës dhe dal e them që brenda javës do të kemi paketën, dalin e thonë nuk do ta lëmë këtë herë. Këtu ka të bëjë me një kuturisje të turpshme që fyen kombin dhe popullin në dinjitetin e vetë, sepse ne nuk jemi njerëz. Kaq të lidhur me zorrët, ndërkohë që të tjerët po lënë jetën dhe po shkatërrohen totalisht. Nuk e ndalojmë dot këtë luftë, por ne jemi vend i NATO-së dhe ne këtu është minimumi i sakrificës që mund të bëjmë dhe qeveria po bën gjithçka mundet për të mbështetur sa më shumë njerëzit”, tha Rama./albeu.com

 


Shtuar 14.03.2022 11:29