Voltana Ademi kallëzon penalisht Sandër Lleshajn
Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, ka kallëzuar penalisht Ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj dhe punonjës të Policisë së Shtetit për gazin e përdorur ndaj qytetarëve në protestën e 20 qershorit në Shkodër.

Lleshaj dhe punonjësit e policisë akuzohen për “shpërdorim detyre”.

Padia është depozituar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe Bashkia e Shkodrës kërkon edhe “pezullim të ushtrimit të detyrës publike” për personat e kallëzuar penalisht.

Në parashtrimin e saj, në kallëzimin penal drejtuar organit të Akuzës, nënvizohet se: “Në cilësinë e Kryetares së e bashkisë Shkodër së bashku me qytetarët e Shkodrës po bënim manifestim paqësor , në mbrojte të të drejtave dhe lirive themelore Kushtetuese, mbrojten e drejtës së votës, e cila është parimi kryesor në zbatim të Kushtetutës. Manifestimi ishte paqësor dhe konform dispozitave ligjore në fuqi.

Nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe punonjësve të Drejtorisë së Policisë Vendore Shkodër, është hedhur masivisht gazi me lëndë helmuese mbi qytetaret të cilët po manifiestonin paqësisht në qytetin e tyre, situatë e cila është pasqyruar direkt live në mediat Lokale dhe Kombëtare.

Pamjet filmike provojnë qartazi se efektivë të Policisë së Shtetit,dhe drejtues të saj si dhe efektivë në nivel zbatues, dhe me dyshimin e arsyeshëm për urdhër të paligjshëm të Ministrit të Brendshëm, me anë të veprimeve të tyre kanë konsumuar elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal.”

Në vazhdim të kallëzimit penal, nënvizohet se “Përdorimi i armëve për përhapjen e gazrave irrituese, helmuese është kryer duke cënuar nenin 47 të Kushtetutës, nenet 5, 17, 85, 86, 102 dhe 133 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” i ndryshuar, nenet 106, 107, 108, 109, 110 dhe 111 të VKM Nr. 750, datë 16.9.2015 “Për miratimin e rregullores së Policisë së Shtetit”.”.

Bashkia e Shkodrës, në kallëzimin penal për ministrin e brendshëm dhe punonjës të Policisë së Shtetit thotë se “siç tregojnë edhe pamjet filmike, punonjësit e Policisë së Shtetit kanë sulmuar me gaz edhe protestues të cilit ishin në kushte të pamundura shëndetësore, apo persona që po u vinin atyre në ndihmë. Kjo metodë kriminale, është shkelje flagrante e ligjit, që vë në rrezik serioz jetën e qytetarëve dhe personave që ishin duke i ndihmuar ato....

I kërkojmë prokurorisë që të hetojë se çfarë urdhrash janë dhënë që parë datës 20 qershor 2019 në lidhje me protestën e kësaj date dhe veçanërisht urdhrat e kësaj date në lidhje me përdorimin e gazit irritues/helmues nga ana e policisë për shpërndarjen e protestueve. Kjo do të ndante përgjegjësinë ligjore individuale të gjithësecilit në këtë shkelje të rëndë ligjore komform kësaj pike ligjore,” thuhet në kallëzimin penal të bërë nga Bashkia e Shkodrës.
Shtuar më 27/06/2019, ora 14:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori