Kurti i kushtëzoi takimin në Kosovë, Rama: Do flas nesër në Prishtinë

Kryeministri Edi Rama refuzoi të komentojë kushtin që Albin Kurt i vendosi për tu takuar nesër në Prishtinë.

Rama tha se do të flasë nesër në Prishtinë në lidhje me temën.

I pyetur nga gazetarët pas deklaratave të kryeministrit  të Kosovës Albin Kurti se me Ramën takohet vetëm në kuadër të mbledhjes së dy qeverisë, kryeministri refuzoi të përgjigjet, por tha se “do të flas kur të jetë koha për të folur, do të flas nesër në Prishtinë”.

Albin Kurti deklaroi se do të takohej me homologun e tij vetëm për mbledhjen e qeverisë.

“I kërkova të mbajmë mbledhjen e qeverisë që u anulua. Do rrijë 2 ditë dhe 1 natë në Prishtinë në kuadër të Procesit të Berlinit. I kërkova të bënim mbledhje qeverie për të firmosur marrëveshjet. Nuk e takoj nëse nuk do jetë mbledhje e përbashkët e qeverive që u anulua”, ka thënë Kurti sot në një konferencë për mediat.

Mbledhja qeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës, e cila ishte planifikuar të mbahej më 14 qershor në Gjakovë, por u anulua, pasi kryeministri Rama than ë atë kohë se nuk ishte momenti për show, kur situata në Kosovë është e tensionuar.

Në këtë mbledhje ishte planifikuar takimi i kryetarëve të komunave të zonave kufitare në të dyja vendet, ku pritej të diskutoheshin që sfidat të kthehen në mundësi dhe mundësi në përfitim për qytetarët.

/albeu.com/


Shtuar 5.07.2023 13:08