Furnizonte Europën me drogë, shkatërrohet banda kriminale në Spanjë, 12 shqiptarë në pranga

Një organizatë kriminale është shkatërruar nga autoritetet spanjolle, teksa në pranga kanë rënë 13 persona, 10 burra e 3 gra, nga të cilët 12 shqiptarë e një spanjoll.

Organizata merrej me kultivimin e marijuanës në provincën e Alicante dhe që më pas shpërndahej në të gjithë Europën.

Policia nisi hetimet pas informacioneve të ndryshme që grupi hetimor trajtonte për ekzistencën e një grupi kriminal me qendër në provincën e Alicante-s dhe më konkretisht në qytetin Benidorm dhe rrethinat e tij, ku organizata kultivonte marijuanë për shpërndarje të mëvonshme në nivel evropian. Po ashtu është marrë informacion dhe nga një prej kompanive të shpërndarjes së energjisë elektrike që bashkëpunon ngushtë me Forcat dhe Organet e Sigurisë së Shtetit për zbulimin e mashtrimeve në furnizimin me energji elektrike.

Kompania elektrike tregonte që energjia ishte konsumuar në sasi të tepërta, teksa kishte humbje në rrjet nga ndërtesa dhe shtëpi të ndryshme industriale në qytetin e Benidorm të Alicante.

Nisur nga këto rrethana agjentët nisën një hetim për zbardhjen e këtij konsumi të tepruar që në përgjithësi tenton të zbulojë instalime elektrike mashtruese ose të paligjshme që furnizojnë me energji elektrike kulturat e marijuanës në ambiente të mbyllura, siç u zbulua më vonë nga hetimi. U verifikua se kultivimi i kanabisit nga ky grup bëhej nbë banesa dhe disa magazina të ndryshme industriale të vendosura në qytetet Benidorm, La Nucía, El Albir dhe Almoradí.

Policia sekuestroi1490 bimë narkotike, 350 gramë sytha marihuane, 7000 euro cash, tre automjete të përdorura nga të arrestuarit për transportin e drogës, mes të cilëve një kamion i vogël, një jet ski dhe mjete të shumta për kultivimin dhe trajtimin e këtyre lëndëve narkotike.

Të arrestuarit janë të moshave nga 18 deri në 51 vjeç dhe tashmë ndodhen në paraburgim, në pritje të masës së sigurisë.

 


Shtuar 14.04.2023 14:45