Thirrja e BE-se Shqiperise: Zgjidhni krizen
Albeu.com
Ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian i bënë thirrje Shqipërisë t’i japë fund krizës politike. Në mënyrë të qartë ata përcaktuan dje edhe një afat kohor se kur duhet të ndodhë kjo. Sipas shefave të kancelarive perëndimore, situata politike në Shqipëri duhet të përmirësohet para përpilimit të opinionit lidhur me kërkesën e bërë nga Tirana zyrtare për përfitimin e statusit të vendit kandidat për në familjen europiane. Në deklaratat e tyre, një vëmendje e veçantë iu kushtua ndërkohë edhe apelit drejtuar Partisë Socialiste për t’u rikthyer në Kuvend sa më parë. Në prononcimin e tij për çështjen, ministri i Jashtëm slloven, Samuel Zbogar tha se “para së gjithash, të gjithë ne shpresojmë që situata politike në Shqipëri të kthehet në vendin e duhur, që opozita të hyjë në parlament. E kuptoj që presidenti po drejton bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje dhe shpresojmë që ai ta gjejë zgjidhjen, sepse kjo do të ishte në të mirë të vetë Shqipërisë në radhë të parë, për sa i takon statusit kandidat. Ne shpresojmë që të punojmë së shpejti mbi këtë aplikim në Këshillin e Ministrave të Jashtëm. Shqipëria tani po përgatitet ndaj pyetësorit. Pas kësaj çështja i kthehet Komisionit, i cili merr ca kohë për përgatitjen e opinionit. Gjatë kësaj kohe të gjitha problemet në Shqipëri shpresoj të jenë zgjidhur”, - është shprehur ai. Nga ana tjetër, ministri portugez për çështjet europiane, Pedro Lourtie theksoi se “stabiliteti politik është i rëndësishëm dhe po ashtu dhe konsolidimi i institucioneve demokratike. Ekziston një proces, i cili duhet ndjekur e kritere që duhen përmbushur, ndaj negociatat do të ndiqen deri në fund”. Ndërsa ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt pohoi mes të tjerash se “kjo është çështje e brendshme e Shqipërisë, por na vjen keq dhe i kërkojmë opozitës të kthehet në Kuvend dhe që për këtë të ketë një dialog që ta zgjidhë këtë çështje në veçanti. E sigurisht që shpresoj se situata aktuale të zgjidhet shumë më përpara opinionit të Komisionit për Shqipërinë”. Në funksion të të njëjtit qëndrim, ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës, Alexander Stubb do të shtonte mandej se “është shumë e vështirë që të gjykosh për këtë, pasi të gjitha vendet e Ballkanit kanë një proces politik e disa prej vendeve janë më shumë problematike sesa të tjerët, kështu që duhet parë efekti përfundimtar”. Për sa i takon liberalizimit të vizave, ministrat e Jashtëm të BE-së sqaruan se ende nuk është përcaktuar një datë e saktë se kur do të hyjë në fuqi heqja e këtij regjimi për Shqipërinë dhe Bosnjën. “Ne po punojmë që të ndodhë gjatë qershorit, ndaj shpresojmë shumë që të bëhet nga qershori. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ne të përcjellim këtë mesazh ndaj qytetarëve të Shqipërisë dhe Bosnjës gjatë presidencës spanjolle”, - deklaroi ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Zbogar.
Shtuar më 24/02/2010, ora 17:54
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori