Përfitoi nga leja e burgut dhe u arratis, bie në pranga 36 vjeçari
Policia e Fierit ka vënë në pranga një 36-vjeçar, i cili rezultonte i shpallurkërkim. Shtetasi Gentjan Taullaj, kishte thyer lejen shpërblyese të dhënë nga burgu dhe nuk u kthye brenda afateve të paracaktuara. Ai ishte dënuar me 7 vite heqje lirie për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike.

“Thyen lejen e dhënë nga IEVP Fier duke mos u kthyer më në vendin e kryerjes së dënimit, kapet dhe ndalohet shtetasi i shpallurkërkim për veprën penale “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Nga shërbimet e Njësisë Operacionale “Sopoti” në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në vendin e quajtur “QTU” u kap shtetasi i shpallurkërkim: G.T, 36 vjeç, banues në Ballsh. Shtetasi G.T ishte person i shpallurkërkim pasi ka thyer lejen shpërblyese dhënë nga I.E.V.P Fier ku ishte duke vuajtur dënimin prej 7 vitesh për vepën penale “Trafikim të lëndëve narkotike”.

Nga kontrolli i ushtruar i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa si dhe një dokument leje drejtimi greke e dyshuar e fallsifikuar. Në këto kushte u bë ndalimi i tij për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme proceduriale”- njofton policia.


Shtuar më 29/05/2019, ora 10:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori