Themelohet SPAK/ Erdhi koha që politikanët e korruptuar të futen në qeli
Kanë nisur dje zyrtarisht lëvizjet për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme, një prej organeve më të rëndësishme të drejtësisë së re në Shqipëri, në të njëjtën kohë edhe makthi më i madh për politikanët, zyrtarët dhe ish-zyrtarët e korruptuar.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, gjatë mbledhjes së djeshme, ka caktuar 15 vende të lira në Prokurorinë e Posaçme, e projektuar nga ndërkombëtarët dhe shqiptarët për të goditur krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet që nga viti 1991 e deri më sot. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, nën drejtimin e Gent Ibrahimit, ka vendosur një afat 1-mujor për të aplikuar çdo prokuror që ka ambicie për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme.

Neni 12 i ligjit për SPAK-un parashikon që Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Sipas Kushtetutës, prokurorë e Prokurorisë së Posaçme kanë një mandat 9-vjeçar dhe nuk kanë të drejtë të riemërohen. Prokuroria e Posaçme do të zëvendësojë Prokurorinë Aktuale për Krimet e Rënda. Dosjet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda do t’i kalojnë Prokurorisë së Posaçme, ndërsa kjo e fundit do të vendoset në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Kandidatët dhe kushtet

Prokurorët aktualë të Prokurorisë për Krimet e Rënda mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, por gara është hapur edhe për prokurorët e tjerë. Ndërkaq, për t’u bërë pjesë e SPAK-ut, strukturës që ka trembur politikanët dhe çdo funksionar apo ish-funksionar të korruptuar, prokurorët duhet të plotësojnë dy kushte. Kushti i parë konsiston në kalimin me sukses të kontrollit të të pasurisë dhe të figurës. Sipas ligjit për SPAK-un kandidati, bashkë me kërkesën për aplikim, plotëson dhe dorëzon deklaratat e kontrollit të pasurive dhe të konfliktit të interesit pranë institucioneve përkatëse të emërtesës. Gjithashtu, kandidati plotëson deklaratën e kontrollit të figurës dhe e dorëzon atë tek institucionet e emërtesës.

Kushti i dytë dhe i tretë

Kushti i dytë konsiston në dhënien e pëlqimit për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, për të cilën kandidati plotëson dhe nënshkruan një deklaratë me shkrim. Kushti i i tretë parashikon që prokuroi kandidat, bashkë me familjarët dhe të afërmit e tyre, duhet të japin të gjithë pëlqimin, përmes një deklarate të firmosur, për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake. Këto dy kushte reflektohen në nenin 57 të ligjit për SPAK-un si dhe në nenet 162 dhe 163 të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kandidatët, pra duhet të heqin dorë me vullnetin e tyre për privatësi. Sipas nenit 48 të ligjit për SPAK-un, kandidatët prokurorë të SPAK-ut, bien dakord të përdorin vetëm ato numra telefoni dhe adresa poste elektronike. Ata nuk lejohen të përdorin asnjë formë tjetër komunikimi elektronik. Numri i telefonit dhe adresa e postës elektronike i nënshtrohen kontrollit periodik nga oficeri përgjegjës i Byrosë KombëtareHetimit.

Komisioni i verifikimit

Gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit krijojnë Komisionin e Posaçëm të Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve për të bërë verifikimin e kushteve të sigurisë para caktimit në detyrë ose emërimit. Komisioni përbëhet nga dy prokurorë të Prokurorisë së Posaçme, të zgjedhur me short. Procesi i përzgjedhjes me short monitorohet nga Avokati i Popullit; një gjyqtar të gjykatave të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i zgjedhur me short. Procesi i përzgjedhjes me short monitorohet nga Avokati i Popullit; një punonjës i seksionit të hetimit financiar pranë Prokurorisë së Posaçme, i caktuar nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe një hetues i Byrosë KombëtareHetimit, i caktuar nga Drejtori i Byrosë KombëtareHetimit.

Kompetencat
Në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme, Byrosë KombëtareHetimit dhe Gjykatave Speciale është çdo akuzë penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrave, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Gjykatës së Lartë, prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, deputetëve, kryetarëve të bashkive, zëvendësministrave, anëtarëve të KLP dhe KLGJ, drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër të gjithë ish-funksionarëve të sipërpërmendur. Pra të gjithë zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartpërmendur, të dyshuar për çdo vepër penale, do të merren nën hetim nga SPAK-u. Po ashtu, në kompetencë të SPAK-ut janë edhe 40 vepra penale të kryera nga çdo shtetas i mundshëm.




Shtuar më 08/01/2019, ora 08:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori