Policia Rrugore bllokon për 3 minuta “kamikazin” në Rrugën e Kombit, sa u gjobit dhe si u justifikua para policëve

Një telefonatë në sallën operative të Komisariatittë Rrëshënit ka vënë në alarm shërbimet e policisë rrugore në Rrugën e Kombit gjatë ditës së djeshme, ndërkohë që aksi ishte tepër i ngarkuar me shqiptarë të Kosovës që ktheheshin nga fundjava në Shqipëri.

Abcnews.al mëson se ngjarja ka ndodhur gjatë pasdites së djeshme ku një qytetar ka sinjalizuar sallën operative të Komisariatit të Rrëshenit për një makinë që ecte me shpejtësi skëterrë në rrugën e Kombit duke kryer manovra të rrezikshme gjatë parakalimeve. Burime bëjnë me dije se fill pas denoncimit, shërbimet e policisë rrugore në këtë aks që operojnë në kuadër të Njësisë Operacionale për Sigurinë e Autostradës në fjalë janë vënë në lëvizje për identifikimin dhe ndalimin e automjetit që po rrezikonte jetën e përdoruesve të tjerë të rrugës.

Siç bëjnë me dije burimet, vetëm tre minuta pas telefonatës, automjeti në fjalë, një makinë tip “Fiat Stilo” është ndaluar nga patrulla e policisë rrugore, të cilët kanë kryer veprimet e menjëhershme refuar denoncimit të qytetarit.

Abcnews.al kontaktoi me përgjegjësin e turnit të djeshëm për Njësinë e Sigurisë së Austradave, aksi Milot-Morinë, Artan Pellumbi, i cili dha detaje të tjera në lidhje me ngjarjen e djeshme.

“Pati një denoncim në sallën operative të Rrëshënit dhe menjëherë ata na njoftuan neve si përgjegjës për sigurinë e këtij aksi. Menjëherë morëm masat dhe në kohë rekord kemi ndaluar automjetin për të cilin kishte një denoncim. Pas verifikimeve të kryera për vërtetimin e shkeljeve të kryera proceduam me gjobitjen e drejtuesit të automjetit me 10 000 lekë”, tha Pëllumbi.

Mësohet se pas marrjes së gjobës, drejtuesi i mjetit nuk ka kundërshtuar duke pranuar se kishte kryer maova të rrezikshme gjatë drejtimit të mjetit me arsyetimin se i duhej që të kapte avionin në Rinas dhe se ishte vonë.

Rrugët e vendit janë kthyer në një vend tepër të rrezikshëm për të udhëtuar gjatë viteve të fundit për shkak të agresivitetit të drejtuesve të automjeteve si edhe infrastrukturës së dobët në segmente të caktuara, prandaj nevojitet shpesh edhe sinjalizimi i policisë në raste te ngjashme.