Thaçit i shtohet fuqia për pazare në dialog, takimi i pakuptimtë me Rusinë
Koment nga Ervin Shkulaku

Siç pritej, sot Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sërish do të shkojë i plotfuqishëm në dialogun me Serbinë që mbahet në Bruksel.

Pra, e gjithë përpjekja për ta ndalur atë doli një bllof dhe kjo u pa sot në seancën e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita me qëllimin që ta ndalin presidentin me anë të një rezolute. Edhe sikur të miratohej një rezolutë e tillë, gjithsesi nuk ndalej por edhe kjo nuk u miratua pasi Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Lista Serbe, Teuta Rugova nuk e mbështetën duke mos marrë pjesë në seancë.

Teuta Rugova s'ka si ta mbështesë rezolutën pasi kur u zgjodh Thaçi president, i dhuroi lule :). Lista Serbe nuk del kundër tij se është nën urdhërat e Vuçiçit.

Por, edhe Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj nuk e ndalën që tregoi edhe një herë që janë trima vetëm me fjalë, në praktikë nuk guxojnë të dalin pasi është e qartë shkarkohen nga postet e majme që kanë. Se mos mendoni se Milaim Zeka u qëndron besnik fjalve që flet dhe shpresuat te ai.

Pra, Thaçin nuk e ndalin askush, përkundrazi këtë herë ia shtuan edhe ca figura të tjera në dialog. Këtë herë Limaj, Hoxhaj etj do t'i bashkangjiten Thaçit në Bruksel por me shumë mundësi nuk do të lejohen të hynë në takimet kokë më kokë me Vuçiçin, pra nëse nuk hynë aty janë thjesht disa numra prapa presidentit.

Nesër shpresohet se do të ketë detaje të reja nga marrëveshja me Serbinë por situata nuk duket premtuese pasi pala kosovare jep shumë pak detaje ndërsa nuk pritet nga Bashkimi Evropian. Vetëm nga Aleksandër Vuçiç mund të dalë ndonjë detaj që për ta do jetë fitues ndërsa për ne i dhimbshëm.

E megjithatë duket se ngjarjet po rrjedhin sipas një plani paraprak dhe kjo shihet në takimin që pati Hashim Thaçi me kryeministrin e Rusisë, njeriun më të afërt të Vladimir Putinit, Medvedev.

Takimi i 8 korrikut të këtij viti u duk si një takim i parëndësishëm por nëse e mendojmë mirë nuk është i tillë. Kush nga lidërët shqiptarë, sidomos Kosova që nuk njihet nga Rusia takohet me udhëheqësit rus. Madje është habi që kryeministri rus takohet me presidentin e Kosovës kur në fakt nuk e njeh ekzistencën e saj.

Por shpresojmë që Thaçi i ka bërë mirë llogaritë pasi në të kundërtën do të humbasin shqiptarët. Gjithashtu le t'i bëjë sërish llogaritë duke përfshirë edhe tensionet SHBA-Gjermani se kur shtetet e fuqishme tensionohen e pësojnë gjithmonë shtetet e dobëta e të varfëra. Të mos bëhet pazar me territorin e Kosovës, territorin e shqiptarëve./albeu.com/
Shtuar më 06/09/2018, ora 14:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori