Thacit i kerkohet shkarkimi i ministrit te korruptuar
Albeu.com
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka gjasa se shumë shpejt do të duhet të largojë nga qeveria e tij një ministër, për të cilin zyrtarë ndërkombëtarë madje i kanë dhënë dosje për keqpërdorime.
Ministri, që burimet thonë se është i fuqishëm politikisht dhe vjen nga një dikaster i rëndësishëm i qeverisë Thaçi, dyshohet për përvetësimin e dhjetëra milionë eurove, ndërsa kërkesa për shkarkimin e këtij ministri i është bërë drejtpërdrejt kryeministrit Hashim Thaçi, javën e kaluar.
Dosja - e përpiluar nga shërbimi inteligjent i njërit shtet anëtar të Quintit, siç shkruan sot gjerësisht “Koha Ditore”, thuhet se i është treguar kryeministrit Thaçi, ndërsa burimet insistojnë se përmban të dhëna të mjaftueshme për të argumentuar dhjetëra milionë euro keqpërdorime të ministrit në fjalë, ose së paku janë të mjaftueshme për të nisur një proces gjyqësore kundër tij.
Biseda dhe kërkesa të faktorit ndërkombëtar për shkarkimin e këtij ministri dhe, siç qe raportuar më herët edhe të një tjetri, ka pasur edhe para disa muajsh.
Ndërkohë, në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, të martën, kryeministri Thaçi ka thënë se e ka mirëpritur thirrjen ditë më parë të Piter Feithit për t’i larguar zyrtarët e korruptuar nga nivelet e larta të Qeverisë së Kosovës, nëse dëshiron të ecë përpara drejt integrimit në BE.
Shtuar më 10/03/2010, ora 17:22
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori