Thaçi vlerëson rolin e Metës për lirinë e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi zhvilloi sot një takim në Tiranë edhe me kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Në konferencën e përbashkët për mediat, kryeministri i Kosovës vlerësoi maksimalisht bashkëpunimin me zotin Meta, duke i shprehur mirënjohjen për angazhimin e tij në përpjekjet për lirinë e Kosovës. Thaçi e cilësoi kreun e LSI-së si bashkëluftëtar të betejave për çlirimin e Kosovës.

"I jam shumë mirënjohës zotit Meta për angazhimin e tij personal, të pakursyer e të jashtëzakonshëm në mbështetje të përpjekjeve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Roli i zotit Meta për lirinë e Kosovës është i çmueshëm dhe respektohet prej qytetarëve të Kosovës"- deklaroi Thaçi.

Duke e uruar kreun e LSI-së për detyrën e re në drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë, kryeministri i Kosovës tha: "çmoj shumë kontributin, rolin dhe angazhimin e kryetarit Meta, ish-kryeministrit Meta për rolin ekuilibrues në Shqipëri , për rolin dhe maturinë e jashtëzakonshme që ka treguar dhe LSI në të gjitha angazhimet dinamike të skenës politike në Shqipëri, për të kaluar tranzicionin demokratik me sukses të plotë.Presim një bashkëpunim shumë të ngushtë, vëllazëror, miqësor, institucional. Shqipëria europiane është mesazh edhe për Kosovën, që do të afrohet më shpejt drejt NATO-s dhe BE-së" shprehet Thaçi.

Nga ana e tij lideri i LSI-se Meta shprehu gatishmërinë e LSI-së për forcimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Shqipërisë, nëpërmjet një bashkëpunimi në të gjitha nivelet.

“Besojmë shumë në kapacitetin e qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të saj. Besojmë shumë në energjitë pozitive të shqiptarëve në të dy vendet dhe gjithë rajonin. Besojmë se me këto vizione evropiane dhe përgjegjësi të fituara edhe falë përvojave do të arrijmë të ecim më shpejt drejt përmbushjes së aspiratave të shqiptarëve drejt një stadi të ri të marrëdhënieve të Shqipërisë me BE, Kosovës me BE, konsolidimit të mëtejshëm të pozicioni ndërkombëtar të Kosovës, por edhe duke çuar përpara të drejtat e shqiptarëve kudo ku janë.”- theksoi Meta.

Më tej lideri i LSI-së përfitoi nga rasti për të uruar dhe falënderuar të gjtihë anëtarët, simpatizantët dhe themeluesit e LSI-së për ditën e themelimit të partisë.
Shtuar më 06/09/2013, ora 19:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori