Thaci si Tito, citatet e tij ne muret e Akademise
Albeu.com
Në një pllakë të artë, emri i kryeministrit Hashim Thaçi është gravuar në hyrje të ndërtesës së re të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Brenda një fushe, sipër emrit, ndodhet edhe një vlerësim i tij për rolin që kanë institucionet, sikur që është Akademia.
“Tempujt e dijes dhe të shkencës janë rreze drite për kombin dhe njerëzimin”, është fjalia e gravuar, pranë portës kryesore në ndërtesën e re të Akademisë.

Kësisoj, rasti bëhet unik në vende ku është i vendosur regjimi demokratik. Thëniet e politikanëve nuk shihen në mure institucionesh, praktikë kjo që ishte në modë gjatë regjimit diktatorial. Madje, vlerësimi për shkencën i prijësit të vendit, pos në ndërtesa të institucioneve, shihej edhe në faqe të para të secilit libër shkencor.

Pllaka që mban firmën e kryeministrit Thaçi ndodhet aty dhe kurrkush nuk di urdhërdhënësin për vendosjen e saj. Fillimisht ishte thënë se këtë e kanë kërkuar akademikët, mirëpo kjo është hedhur poshtë nga kryetari i tyre.
“Aty (në pllakën ngjyrë ari v.j.) kryeministri ka dhënë një mendim.

Kryeministri e ka parë të arsyeshme ta bëjë dhe nuk mund të japë tash ndonjë vlerësim”, ka thënëkreu i Akademisë, Besim Bokshi. “S’na ka pyetur njeri për të. Atë ditë kur është prerë shiriti e kemi parë për herë të parë”.

E ka quajtur “interesante” pllakën dhe përmbajtjen e saj, edhe për faktin se nuk ka parë diçka të ngjashme në ndonjërën prej akademive, të cilat deri tash Bokshi i ka vizituar.

Të tilla nuk mund të shihen as në vendet fqinje që vetëm prej dy dekadash kanë dalë nga komunizmi.

Por, a ka qenë kryeministri Thaçi ai që ka urdhëruar vënien e pllakës?

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, ka thënë të mos ketë rrjedhur nga Zyra e kryeministrit iniciativa apo vendimi për vendosjen e saj.
“Nuk ka qenë iniciativë e Zyrës së kryeministrit dhe ne nuk dimë kush dhe si e ka vënë”, ka thënë zëdhënësi Krasniqi. “Ne vetëm e kemi parë të vendosur aty”.

Në kompaninë që ka bërë ndërtimin e godinës së Akademisë kanë treguar se janë urdhëruar nga Ministria e Administratës Publike ta vënë pllakën.
“Ministra e Administratës Publike na e ka sjellë pllakën dhe ne vetëm e kemi vendosur. Ata kanë qenë autoriteti kontraktues për ne dhe ne është dashur të veprojmë ashtu siç ata kanë thënë”, ka treguar Bajram Gashani, drejtor i përgjithshëm në “Al-Trade Construcion”. “Këqyra në Ministri se cili person, por nuk na treguan. Jo ai, jo ai tjetri dhe nuk mundëm të kuptojmë se kush”.
Edhe gazeta ka provuar të mësojë se kush ka qenë vendimmarrësi, por kjo nuk është bërë e ditur në Ministrinë e Administratës Publike, e cila ka financuar e mbikëqyrur punimet e ndërtesës së Akademisë.

Pllaka edhe mund të hiqet, pasi akademikët të hyjnë në ndërtesën e re, tashmë të përuruar. Kryetari i Akademisë, Besim Bokshi, nuk ka përjashtuar këtë mundësi. (koha ditore/albeu)
Shtuar më 21/01/2010, ora 18:15
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori