Thaci pret Mirel-in
Albeu.com
Në prag të takimit plenar të Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asociimit, që do të mbahet nesër në Prishtinë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur Drejtorin për Zgjerim të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Pier Mirel.
Bëhet e ditur se gjatë takimit janë diskutuar çështje mbi për perspektivën evropiane të Kosovës dhe për progresin dhe sfidat në rrugën e integrimit dhe për çështje tjera me rëndësi.

Me këtë rast, kryeministri Hashim Thaçi shprehu edhe njëherë gjithë angazhimin që është duke e bërë Qeveria në përmbushjen me sukses të të gjitha përgjegjësive dhe kritereve për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ai tha se sfidat që dalin nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën janë pjesë kryesore e angazhimeve të Qeverisë, me theks të veçantë çështjet që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave, për marrëveshjen tregtare me BE-në dhe çështje tjera me interes.

”Pas plotësimit të pyetësorit për Marrëveshje Tregtare me BE-në, Republika e Kosovës është e përgatitur dhe e gatshme për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, që presim ta marrim gjatë kësaj vere”, është shprehur Thaçi.

Ndërkaq drejtori për Zgjerim i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Pier Mirel ka vlerësuar punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës në përmbushjen e kritereve për integrimin e Kosovës në institucionet euro-atlantike.

Ai ka theksuar se i gjithë progresi i arritur, si dhe sfidat që dalin në këtë rrugë do të jenë të prezantuara në mënyrë meritore në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, të këtij viti.
Shtuar më 05/07/2010, ora 22:02
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori