Thaci: Plani i OKB-se i papranueshem
Pëlqej
Albeu.com
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, siguroi ligjvënësit e Kosovës se plani 6-pikësh i OKB-së për shtrirjen e Misionit Evropian për Drejtësi dhe Polici (EULEX), nuk do të pranohet dhe si i tillë do të jetë i pazbatueshëm në Kosovën e pavarur.
Shefi i qeverisë kosovare i bëri këto deklarata në fillim të punimeve të seancës së rregullt plenare të Kuvendit të Kosovës ku u diskutua projektbuxheti i Kosovës për vitin 2009.

Ai tha se reagimi i tij vjen pas konsultave që ka bërë dje në mëngjes me Presidentin e Republikës, Fatmir Sejdiun, ndërsa deklaratat e tij lidhen me shqetësimin e qytetarëve të Kosovës dhe pyetjet që deputetët i kanë bërë qeverisë përkitazi me këto pika.

“Statusi i Kosovës është zgjidhur dhe kjo çështje është mbyllur që nga 17 shkurti 2008 kur Kosova është bërë e pavarur dhe sovrane dhe do të jetë gjithmonë”, tha Hashim Thaçi, duke shtuar se institucionet e Kosovës i kanë dhënë mbështetje EULEX-it ashtu siç e parashikon Kushtetuta e Kosovës dhe Plani i Ahtisaari-t.

Ndërsa Rezolutën 1244 e OKB-së, kryeministri kosovar e vlerësoi jorelevant dhe të pakuptimtë, për të gjitha fushat që flet plani 6-pikësh.

“Kosova ka paraqitur katër pika që paraqesin qëndrimin zyrtar në raport me planin 6-pikësh. Kosova e ka Kushtetutën dhe ligjet e saj, prandaj edhe institucione e Kosovës do t’iu përmbahen dhe do t’i zbatojnë ato”, u shpreh kryeministri Thaçi, duke garantuar se asnjë plan tjetër që del jashtë ligjeve nuk do të pranohet.

“Plani 6-pikësh ka qenë, është dhe do të mbetet i pazbatueshëm për ne”, tha në fund kryeministri Thaçi.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon në marrëveshje me Beogradin, ndërkaq ka hartuar një plan 6-pikësh për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë. Plani u jep përgjegjësi sovrane serbëve kosovarë, ndërsa EULEX-i nga misioni asistues në funksionimin e shtetit të Kosovës, në të ardhmen do të luaj rolin neutral-arbitër.

Këto parime, siç është thënë bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe planin e Ahtisaari-t, ndërsa ekspertë ndërkombëtarë të çështjeve të Ballkanit, kanë tërhequr vërejtjen se pranimi i këtyre 6-pikave, legjitimon ndarjen nacionale të Kosovës.

Veton Rugova, start
Shtuar më 26/11/2008, ora 17:04
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori