Thaci parasheh njohjen nga Serbia
Albeu.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për “The Washington Times”, të martën ka përsëritur se zyrtarë të lartë serbë i kanë thënë atij se një ditë ata do ta njohin pavarësinë e vendit.
“Në Beograd, ka mendime që ndërlidhen me njohjen e Kosovës, dhe kjo gjë vjen nga zyrtarët më të lartë shtetëror”, është shprehur Thaçi, duke shtuar “se kjo nuk do të ndodhë në një periudhë kohore të shkurtër – ditore”.

Komenti i tij, pas një adresimi që pati në Institutin Amerikan për Paqe, mbështeti edhe njëherë komentet e tij dhënë javores serbe, NIN. Ai tha se ka pranuar “konfirmim jozyrtar se Beogradi një ditë do ta njeh Kosovën”, gjë të cilën zyrtarët serbë e quajtën si “absurditet”.

"Fatkeqësisht, ende ka vende që sillen sikur Kosova nuk ekziston”, u shpreh Thaçi. "Mirëpo, porosia ynë është e qarë: Kosova ekziston dhe është një shtet funksional. Ka ekzistuar dje, ekziston sot, nesër e gjithmonë”.

Sa i përket mendimin këshillëdhënës të GJND-së, Thaçi u shpreh "shumë optimist" se Gjykata do të gjykojë në të mirë të Kosovës por deklaroi se edhe një mendim i pafavorshëm nuk do ta kthejë kohën prapa.
"Pavarësisht vendimit, pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe liria e popullit tim është e përjetshme”, tha Thaçi.

Mirëpo, shpallja e mendimit final e vë Kosovën në një shteg konflikti me Serbinë, zyrtarët e së cilit vend nuk kanë shfaqur shenja se do ta respektojnë një mendim të pafavorshëm të Gjykatës.

Thaçi foli edhe për gjendjen në veri të Mitrovicës, duke përjashtuar çdo lloj kompromisi për shkëmbim territoresh me Serbinë dhe akuzoi Beogradin për nxitje tensionesh atje.

"Fatkeqësisht, integrimi i plotë i serbëve të veriut të Mitrovicës po pengohet si pasojë e rolit destruktiv të Serbisë”, tha ai.

Duke përjashtuar çdo diskutim rreth integritetit territorial të Kosovës apo për pavarësinë, Thaçi përmendi disa fusha në të cilat ai thotë se dialogu në mes të Prishtinës dhe Beogradit mund të dëshmojë të jetë i frytshëm “siç është demarkacioni kufitar, bashkëpunimi ekonomik, sundimi i ligjit dhe kthimi i refugjatëve”.

"Jemi të gatshëm të diskutojmë dhe t’i zgjidhim këto çështje”, tha ai. “Por, shtrohet pyetja nëse edhe Serbia është e gatshme”? (zeri)
Shtuar më 21/07/2010, ora 09:45
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori