Thaci: Mbeshtetja e SHBA-ve per Kosoven, e pazevendesueshme
Albeu.com
Lindja e kombit amerikan u bazua në vlerat më fundamentale të civilizimit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë dhe dinjitetit njerëzor, vlera këto të cilat rrezatuan në mbarë botën duke shërbyer si garanci ndaj tiranisë, shtypjes dhe ...... padrejtësisë, thuhet në telegramin e urimit të kryeministrit Hashim Thaçi dërguar presidentit Barak Obama dhe popullit amerikan me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve.

Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës t’ju përcjell urimet më të përzemërta, Ju dhe popullit amerikan, me rastin e përvjetorit të 233 të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Lindja e kombit amerikan u bazua në vlerat më fundamentale të civilizimit njerëzor: lirisë, demokracisë, barazisë dhe dinjitetit njerëzor. Këto vlera rrezatuan në mbarë botën duke shërbyer si garancë ndaj tiranisë, shtypjes dhe padrejtësisë.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës u bë pikërisht mbi të njëjtat vlera dhe të drejta themelore. Kushtetuta, ligjet dhe parimet e funksionimit të Republikës së Kosovës pasqyrojnë vlerat dhe standardet më të larta të demokracisë, shoqërisë shumetnike, barazisë së të gjithë qytetarëve, të sundimit të ligjit, të lirisë së shprehjes dhe ekonomisë së tregut. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çdo hap të ecjes së Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe zhvillimit ka qenë vendimtare dhe e pazëvendësueshme.

Pavarësia dhe njohja e Republikës së Kosovës u dëshmua si faktor stabiliteti duke sjellë më shumë qartësi, bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë në tërë rajonin tonë. Republika e Kosovës është njohur tashmë nga 60 shtete me më ndikim në botë dhe është anëtar me të drejta të plota e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Synim yni strategjik është të jemi pjesë e plotë e komunitetit euroatlantik, NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Duke ju përgëzuar edhe njëherë, i nderuari President Obama, për përvjetorin e pavarësisë së vendit tuaj, më lejoni t’ju siguroj që institucionet dhe populli i Kosovës do të vazhdojnë të kultivojnë edhe më shumë vlerat dhe frymën e miqësisë dhe bashkëpunimit të shkëlqyeshëm dhe të përhershëm me popullin dhe Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thuhet ne telegramin e kryeministrit Thaçi drejtuar presidentit Obama dhe popullit amerikan. (rtk)
Shtuar më 04/07/2009, ora 22:56
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori