Thaçi ka shpallur formimin e Kabinetit të Qeverisjes së Mirë
Pëlqej
Albeu.com
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi shpalli krijimin e Kabinetit të qeverisjes së mirë, objektiva kryesore të të cilit do të jenë: ...zbatimi i vullnetit të popullit për pavarësi, respektimi i ligjit, lufta e pakompromis ndaj korrupsionit, zbatimi i standardeve perëndimore etj. Kabineti përbëhet nga 14 departamente në krye të të cilëve janë zyrtarë të lartë të PDK-së dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Kabineti i qeverisjes së mirë do të udhëhiqet nga lideri i PDK-së Hashim Thaçi, zëvendës i tij do të jetë Hajredin Kuçi. Bordi i politikave do të drejtohet nga ish kryeministri Bajram Rexhepi, ndërsa në krye të departamenteve përveç të tjerëve do të jenë zyrtarët e lartë të PDK-së si: Jakup Krasniqi, Ramë Buja, Enver Hoxhaj, Fehmi Mujota etj. Në përbërjen e kabinetit ka edhe përfaqësues të shoqërisë civile, por edhe ekspertë të partisë dhe të pavarur. Thaçi tha se ky kabinet do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Për çështjen e statusit final, lideri Thaçi tha se ky kabinet ka vetëm një alternativë. “Kemi vetëm një qëndrim: zbatimi apo respektimi i vullnetit të popullit të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran, pra pavarësi e pakushtëzuar” tha ai. Krijimi i këtij kabineti është ofrimi i alternativave dhe sfidimi i qeverisjes aktuale, jo në kuptimin legal, por atë të projekteve, tha kryetari i PDK-së. Ky kabinet tha ai nuk do të jetë kabinet paralel i qeverisjes aktuale, por do të jetë kabinet i qeverisjes së mirë që do të përballet me kabinetin e qeverisjes së keqe. “Ne jemi dëshmitar të dështimit të funksionimit demokratik të parlamentit, mos-transparencës së qeverisë. Andaj ky kabinet do të jetë shembull i mirë që të eliminohen këto dobësi dhe lëshime që po i kushtojnë edhe vendit edhe qytetarëve” tha ai. Kryetari i Partisë Demokratike arsyetoi se krijimi i këtij kabineti vërtet paraqet një praktikë të re në Kosovë, mirëpo ajo tha ai, është shumë perëndimore dhe demokratike. Duke u shprehur optimist për suksesin e kësaj nisme, ai njoftoi se mbledhja e parë e kabinetit do të mbahet së shpejti. rtk
Shtuar më 26/05/2005, ora 22:24
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori