Thaci: Ja pse nuk pranojme propozimin
Pëlqej
Albeu.com
Nëse Prishtina i pranon 6 pikat e propozuara nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon për shtrirjen e misionit të EULEX-it, atëherë rrezikohet tërësia territoriale e Kosovës, theksoi Thaci.Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi të premten se nëse Prishtina i pranon 6 pikat e propozuara nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon për shtrirjen e misionit të EULEX-it, atëherë rrezikohet tërësia territoriale e Kosovës, prandaj si të tilla, siç tha ai, nuk do të pranohen kurrë. Shefi kosovar i ekzekutivit, Thaçi i bëri këto deklarata në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Kosovës. Ndërsa mospranimi i këtyre gjashtë pikave në forme dhe përmbajtje aktuale, sipas kryeministrit, nuk e cenon integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Thaçi u tha ministrave se plani 6-pikësh i OKB-së nuk është i Prishtinës, por është një dokument i hartuar në mes të Beogradit dhe autoriteteve të OKB-së. “Dokumenti 6 pikësh ka elemente substanciale të papranueshme për institucionet dhe popullin e Kosovës”, ritheksoi Thaçi, duke shtuar se qëndrimi i Prishtinës është i pandryshueshëm.

“Mund të ritheksoj edhe sot pozicionin që e kemi mbajtur edhe dje e që do ta mbajë edhe në mbrëmje, se mospranimi i këtyre 6-pikave në forme dhe përmbajtje aktuale që janë, nuk e cenon integritetin territorial të Kosovës. Ndërsa pranimi në formën aktuale e cenon tërësinë territoriale të Republikës sonë”, tha Thaçi.

Shefi i ekzekutivit tha se institucionet e Kosovës, që nga fillimi kanë deklaruar se e pranojnë mision e EULEX-it në Kosovë, madje kjo sipas tij, është konfirmuar edhe planin e Ahtisaari-t. Mirëpo, Thaçi tha se nuk pranohen imponime të tjera që tejkalojnë limitet e këtij plani dhe që bien në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Ai pranoi se për çdo ditë po bisedohet që të gjet një zgjidhje për shtrirjen e misionit të EULEX-it, ndërsa Prishtina sipas tij, gjithmonë është e hapur për dialog konstriktiv, por ritheksoi se qëndrimi i Kosovës në këtë çështje është prerë se plani i OKB-së në këtë formë nuk pranohet.

Ndërsa, ky qëndrim, sipas tij, nuk e zbeh në asnjë mënyrë përkrahjen e shteteve tjera për Republikën e Kosovës.

“Ne kemi qenë për dialog, për fqinjësi të mirë, për respekt të ndërsjellë, për gjetjen e një zgjidhje të implementueshme në Kosovë. Ne kemi prezantuar ide, sugjerime, vizionin tonë që elemente substanciale të atij dokumenti janë të pa pranueshme për Kosovën”, tha Thaçi.

Idetë, sugjerimet dhe versionet që janë prezantuar nga ana e Kosovës, siç tha kryeministri, kanë qenë hezituese për të tjerët. Megjithatë, sipas Thaçit, ka qenë një debat shumë korrekt dhe i sinqertë, duke ndarë shqetësimet e përbashkëta, ndërsa nuk e mohoi mundësinë e gjetjes së një zgjidhje të drejtë e të pranueshme.

“Bisedat kanë qenë konstruktive dhe qëllimi ka qenë tepër i sinqertë, një qëllim i përbashkët i institucioneve të Kosovës dhe i atyre ndërkombëtare se si ta gjejmë rrugën më të mirë të mundshme për vendosjen e EULEX-it në tërë Republikën ë Kosovës, dhe këtu kemi një qëllim të përbashkët”, tha Thaçi.

Edhe në të ardhmen, siç tha ai, do të ketë bisedime të tjera, të cilat do të shkojnë në drejtim të arritjes së zgjidhjes më të mirë të mundshme, pra respektimin e institucioneve shtetërore, respektimin e gjitha dokumenteve të nxjerra gjatë këtij viti, që hapin perspektivë stabiliteti, paqe, bashkëpunim rajonal dhe integrim evropian.

“Institucionet e Kosovës janë unike në qëndrim, sepse qëndrimi ynë është i drejtë”, tha kryeministri dhe shtoi se, vendimi që do të marrin institucionet e Kosovës, do të jenë në përputhshmëri me interesat jetike të shtetit dhe vullnetit të popullit të Kosovës.

Ndryshe, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon në marrëveshje me Beogradin, ka hartuar një plan 6-pikësh për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë. Plani u jep përgjegjësi sovrane serbëve kosovarë, ndërsa EULEX-i nga misioni asistues në funksionimin e shteti të Kosovës, në të ardhmen do të luaj rolin neutral-arbitër. Këto parime, ndërkaq bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe planin e Ahtisaari-t.

Veton Rugova, start
Shtuar më 15/11/2008, ora 04:55
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori