Thaci i kthehet riformatimit
Albeu.com
Kryeministri Hashim Thaçi pritet ta rinisë procesin e riformatimit të Qeverisë, të cilin e ka lënë pas dore para se të bëhej bastisja e Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit nga ana e EULEX-it.
Një zyrtar i lartë qeveritar ka bërë të ditur se brenda javës, duke mos e përjashtuar të premten, Thaçi do t’i pranojë në stafin e zëvendësministrave dy kandidatët e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Imri Ahmeti dhe Arban Abrashi. I pari do të shkojë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kurse i dyti në Ministrinë për Integrime Evropiane. Me shkuarjen e Ahmetit në MPB, kjo ministri do të bëhet me dy zëvendësministra. Zëvendësministri tjetër është Fatmir Xhelili, i cili vjen nga PDK-ja. Edhe Ministria për Integrime parashihet të bëhet me dy zëvendësministra. Pos Abrashit, në këtë ministri pritet të shkojë edhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti.
Imri Ahmeti ka qenë kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës së Lipjanit, por ka humbur betejën kundruall kandidatit të PDK-së, Shukri Buja. Kurse Arban Abrashi është këshilltar i ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadi Ferati.
Zyrtarë të lartë të Qeverisë kanë hedhur poshtë mundësinë e emërimit të zëvendësministrit të Transportit, edhe pse kjo pozitë ka mbetur e paplotësuar që nga dorëheqja e Adem Grabovcit.
“Aktualisht në PDK nuk ka ndonjë emër për postin e zv.ministrit të Transportit”, ka thënë burimi i gazetës.
Ai ka deklaruar se partia e madhe e koalicionit qeverisës nuk do të ngutet me kandidaturat e saj për postet ministrore.
Mirëpo ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që paralajmërimet e bëra kohë më parë për ndryshimet qeveritare të shndërrohen në realitet brenda një periudhe jo të largët kohore.
Vala e ndryshimeve pritet të prek Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Ish-ministri i Bujqësisë, Idriz Vehapi, është kandidat potencial për të ardhur në pozitën e zv.ministrit.
Futja e tij në këtë ministri do të ndikojë në zhvendosjen e zv.ministrit aktual, Emin Krasniqi, në postin e deputetit në Kuvendin e Kosovës. Pjesë e Qeverisë pritet të bëhet edhe liderja e Partisë së Re Demokratike, Emilia Rexhepi. Ajo parashihet të bëhet zëvendësministre e Energjisë dhe e Minierave. Ndërkohë, në LDK është duke u shqyrtuar mundësia e lëvizjes së zëvendësministrave të saj nga një ministri në tjetrën. Sistemi i rokadave parashihet t’i përfshijë: zv.ministren e Kulturës, Lirije Kajtazi, zv.ministren e Shëndetësisë, Mybera Mustafa, dhe zv.ministrin e Pushtetit Lokal, Shpend Tërdeva.
Shtuar më 14/05/2010, ora 11:24
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori