Thaçi i irrituar
Albeu.com
Pjesëmarrja e deputetëve të PDK-se, Hydajet Hyseni dhe Berat Luzha, në shënimin e ditëlindjes së një prej diktatorëve më të tmerrshëm të botës, Enver Hoxhës, ka irrituar tej mase kryeministrin Thaci.Partia Demokratike e Kosovës e Kryeministrit Hashim Thaçi është vënë përpara një testi serioz të imazhit të saj publik nga një ngjarje spontane.
Pjesëmarrja e deputetëve të saj, Hydajet Hyseni dhe Berat Luzha, në shënimin e ditëlindjes së një prej diktatorëve më të tmerrshëm të botës, Enver Hoxhës, dy emra të njohur gjatë të politikës dhe jetës publike - e kanë vënë bartësen e Qeverisë përpara nevojës për aksion.
Zëdhënësja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se Këshilli Drejtues do të mblidhet të hënën pasdite. "Kjo çështje pritet të shqyrtohet në këtë takim", ka thënë Zëdhënësja, të dielën, për Express.
Ngjarja po teston PDK'në në prag të shënimit të tetëvjetorit të themelimit të saj, një organizim për të cilin pritet të mbahet po të hënën në mbrëmje.
Një zyrtar i lartë i PDK'së ka thënë se paraqitja e dy deputetëve "ka irrituar shumë Kryetarin Hashim Thaçi". Edhe ashtu disa deputetë të kësaj partie, përfshirë Hydajet Hysenin, kishin shprehur kohën e fundit pakënaqësi me PDK'në.
Në fjalimin e tij, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, deputeti Hydajet Hyseni kishte deklaruar, mes tjerash, se - Enver Hoxha është nga atdhetarët dhe revolucionarët e rrallë që mbeten të tillë gjatë gjithë jetës së tyre.
"Vepra e Enver Hoxhës për Kosovën dhe çështjen e pazgjidhur shqiptare, qoftë si opus krijues, qoftë si angazhim konkret, qoftë për nga sasia e qoftë për nga cilësia, qoftë për nga gjerësia, qoftë për nga thellësia, e qoftë për nga largpamësia, është e jashtëzakonshme dhe objektivisht e paarritshme nga cilido nga emrat e respektuar të bashkëkohanikëve të tij, madje edhe nga disa të tillë bashkë", kishte thënë ai, ndër të tjera.
Hydajet Hyseni e ka mbrojtur paraqitjen e tij, edhe të dielën. "Pjesëmarrja dhe fjala ime në këtë Akademi është akt personal, dhe nuk ka të bëjë aspak me ndonjë subjekt politik, shoqëror apo institucional, dhe aq më pak me liderët e tyre. Çdo përpjekje për të implikuar personalitete tjera, që nuk kanë asnjë lidhje me këtë aktivitet, janë absolutisht të pabaza dhe tendencioze", ka thënë Hyseni, në një reagim dërguar mediave.
Deputeti tjetër Berat Luzha thotë se pjesëmarrja e tij në këtë ceremoni nuk ka kurrfarë ndikimi në imazhin e PDK'së. "Po, a ka të keqe diçka", është shprehur Luzha, për Express, i pyetur nëse mund të konfirmojë pjesëmarrjen në ditëlindjen e diktatorit Enver Hoxha.
Ai ka mohuar që dikush në PDK është hidhëruar me këtë ngjarje. Por, paraqitja e dy zyrtarëve në këtë sallë tashmë vetëm ka hapur debat.
Sekretari Organizativ i PDK'së, Ramadan Avdiu, megjithatë ka minimizuar gjasat e ndonjë veprimi.
"Mbledhja e Këshillit Drejtues është thirrur që më herët dhe kjo çështje nuk është paraparë në rend të ditës, por ajo mund të futet tek 'të ndryshme'", ka thënë Avdiu, të dielën për Express. "Paraqitja e tyre është çështje individuale dhe unë nuk shoh se mund të krijohet ndonjë problem i veçantë".
Avdiu ka shtuar se Enver Hoxha ka lënë gjurmë në historinë e shqiptarëve.
"Tek disa, ai shihet me nostalgji, tek të tjerët e kundërta. Shqipëria ka qenë vend i mbyllur për Kosovën një kohë të gjatë dhe këtu është menduar se ajo ishte një vend ideal për shqiptarët, që më vonë është parë se nuk ka qenë kështu", ka thënë Avdiu.
"Prandaj, nuk shoh diçka tragjike këtu". Megjithatë, pjesëmarrja e deputetëve
të Partisë Demokratike të Kosovës në këtë ngjarje dhe post-menaxhimi i saj pritet të bëhen temë e rëndësishme për imazhin e partisë më të madhe qeverisëse në vend. (A. Mustafa, Express)
Shtuar më 14/10/2008, ora 02:49
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori