E FUNDIT/ Lëkundet Shqipëria, ku ishte epiqendra e tërmetit
Thaci: EULEX-i nuk me ka dhene fakte per Limajn
Albeu.com
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë të mërkurën të mos i jetë prezantuar deri tash nga EULEX-i as edhe një fakt i vetëm për keqpërdorime të mundshme të ministrit të Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ndërsa ka kërkuar që ...... “askush të mos prejudikojë në drejtësi e të mos ekzagjerojë për motive personale ose politike”.
Deklarata e dhënë në orët e darkës, mbrëmë, për televizionin publik RTK, është e para e tij prej bastisjes javën e shkuar të pronave dhe Ministrisë që udhëheq Limaj, ndaj të cilit janë hedhur dyshime për keqpërdorim të miliona eurove të parasë publike.
“As unë dhe askush nga institucionet e Republikës së Kosovës nuk ka as edhe një sqarim më të voglin zyrtar se çka ka ndodhur, me përjashtim të deklarimit që ka ardhur nga autoritetet e EULEX-it... As unë dhe as opinioni publik, sot e asaj dite, nuk e di se a është gjetur diçka inkriminuese apo jo”, ka thënë kryeministri Thaçi. “Njerëzit nuk duhet të pretendohet të linçohen”.
Thaçi ka theksuar se aksioni i Policisë së EULEX-it është kryer pa ndonjë paralajmërim.
“Dërgimi i mesazhit të një sjelljeje të tillë (të EULEXI-it v.j.) ka qenë një mesazh sikur institucionet e Republikës së Kosovës janë në armiqësi me ato ndërkombëtare që nuk është e vërtetë”, ka theksuar Thaçi.
Sipas tij, deklarimet e ministrit Fatmir Limaj në ditën e bastisjes kanë qenë në konsultim edhe me vetë Thaçin dhe shprehin qëndrimin edhe të Qeverisë.
Derisa ka përsëritur zotimin për të luftuar krimin dhe korrupsionin, kryeministri i Kosovës ka kërkuar nga EULEX-i të mos bëjë linçime publike dhe të mos ngatërrohen motivet politike në proces.
“Kërkohet në çdo rrethanë transparencë, kërkohet bashkëpunim dhe kërkohet që askush, në asnjë rrethanë, të mos prejudikojë në drejtësi apo askush të mos pretendojë të ekzagjerojë qoftë për motive të caktuara personale apo politike këtë proces”, ka theksuar ai.
Kreu i Qeverisë ka kontestuar profesionalizmin e shprehur me rastin e bastisjes së pronave të Limajt dhe vetë Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit. Në këtë kontekst, ka theksuar se asnjë “sjellje joprofesionale” nuk do të mund ta dëmtojë imazhin, siç ka thënë, pozitiv të rendit demokratik, të multietnicitetit dhe perspektivës euroatlantike të Kosovës. Kryeministri e ka quajtur aksionin e EULEX-it edhe si marketing të panevojshëm.
“Kontrolli mund të ndodhte edhe me tre-katër hetues apo në një procedurë civile dhe assesi në një angazhim marketingu të panevojshëm”, ka theksuar Thaçi.
Thaçi ka kritikuar edhe prokurorin ndërkombëtar, i cili ka theksuar në mediumet e Kosovës se Limaj është i dyshuar për keqpërdorim të miliona eurove. Këto deklarata të prokurorit, Thaçi i ka quajtur “politike”.
“Prokurori duhet të punojë në përputhshmëri me mandatin e tij e jo assesi të merret me prezantimet e opinioneve qofshin ato edhe spekulative apo manipulative, por të koncentrohet në angazhimet që i ka. Prokurori është për t’i kryer obligimet e veta ligjore e assesi të merret me deklarime politike”, ka theksuar kryeministri Thaçi.
Ani se disa herë ka shprehur zotimin të mos ndërhyjë në drejtësi, ka theksuar se procesi ndaj Limajt duhet të mbyllet shumë shpejt.
“Ky proces duhet të mbyllet shpejt, në një procedurë të hapur, transparente, legale, jashtë çdo ndikimi politik, prej kujtdo qoftë dhe të përmbyllet shpejt, gjë të cilën e kam kërkuar dhe kjo edhe duhet të ndodhë”, ka thënë kreu i ekzekutivit. “Nuk do të lejoj, si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që askush të linçohet apo me obstruksione të motivuara të ndodhin gjëra që nuk duhet të ndodhin, sepse edhe z. Limaj, edhe Qeveria, gjithë njerëzit që janë vullnetmirë, janë zotuar për luftë të pakompromis kundër korrupsionit”, ka shtuar ai.
Thaçi ka mohuar çfarëdo mundësie që t’i kërkohet ministrit Limaj dorëheqja, apo që ai ta përdorë autoritetin kushtetues për ta shkarkuar. Ka thënë se Limaj do t’i vazhdojë angazhimet e tij.
“Nuk është çështje e dorëheqjes ose e mosdorëheqjes”, ka theksuar Thaçi. “Ky është një proces i depersonalizuar që duhet ta shtjellojmë ashtu siç është. Unë asnjë fakt, në asnjë rrethanë nuk e kam pasur, nuk e kam për asnjë njeri, i cili është atakuar ditën e kontrollit e as për zotin Limaj. Prandaj, ato angazhime, të cilat i ka pasur z. Limaj do të vazhdojë t’i kryejë. Në asnjë rrethanë, as z. Limaj e askush nga bartësit e institucioneve të Republikës së Kosovës nuk ka pretenduar dhe nuk pretendon të interferojë në sundimin e ligjit e as në organet e drejtësisë”.
Sipas tij, askush nuk ka kërkuar dorëheqjen e ndonjë ministri të Qeverisë së Kosovës.
Thaçi ka shprehur zotimin se nuk do të lejojë që, as Qeveria e Kosovës dhe as ndonjë formacion politik, si dhe asnjë ministër apo zyrtar i cilësdo parti politike qoftë, të linçohet me motive të caktuara, duke lënë të kuptohet se dikush nga ndërkombëtarët po bën të tillë përpjekje.
Gazeta kishte shkruar më herët se Feith ia kishte kërkuar kryeministrit shkarkimin e një ministri me ndikim, ndërkaq të dielën ka raportuar edhe për acarime të skajshme të marrëdhënieve midis Thaçit e Feithit. Në intervistën në RTK kryeministri nuk e ka mohuar këtë, por ka tërhequr vërejtjen se “duhet bërë dallimin mes institucionit që përfaqëson ndonjë personalitet ndërkombëtar dhe personaliteteve të caktuara”.
“Raportet e Qeverisë së Kosovës me ICO-në kanë qenë dhe janë raporte bashkëpunimi dhe këto raporte nuk do të thotë se janë raporte të përqafimit personal”, ka thënë numri një i Qeverisë, i cili njëkohësisht me përbuzje ka dhënë vlerësimin për paralajmërimin e Feithit se mund të ndodhë një ndërrim i madh në Qeveri, të cilin e bëri vetëm një ditë para bastisjes së pronave dhe ministrisë së Limajt.
“Unë jam kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe emërimet dhe ndërrimet i bëj unë, në bazë të mandatit tim kushtetues, ndërsa ka qenë një deklaratë e nxituar dhe e dëmshme për imazhin e Kosovës”, ka qenë kundërpërgjigjja e kryeministrit Thaçi. “Të jeni të bindur se nuk do të ndikohem bash nga askush - nëse pyetni ju, as nga z. Pieter Feith”.
Ai ka thënë të ketë shprehur shpesh, mirëpo është dëgjuar publikisht tek të mërkurën, shqetësimin për, siç ka thënë, mosangazhimin adekuat të shefit të ICO-së, Feith, për veriun e Mitrovicës: për mosmbështetje të plotë për implementimin e strategjisë në veri, për mosmbështetje në luftimin e korrupsionit, të krimit të organizuar dhe kontrabandës në veri të Mitrovicës, si dhe për mosmbështetje të plotë për sundim të ligjit atje. (koha)
Shtuar më 06/05/2010, ora 10:02
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori