Thaci dhe Tadic do te drejtojne bisedimet?
Albeu.com
Hashim Thaçi dhe Boris Tadic do t’i drejtojnë bisedimet teknike Prishtinë-Beograd. Shtetet e Bashkuara, BE, por edhe Rusia mund të bëhen lehtësues të dialogut mes dy vendeve.Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, së shpejti mund t’ia zgjasin dorën njëri-tjetrit, kur nën përkujdesjen e fuqive të mëdha ata do të nisin bisedimet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit.

Thaçi dhe Tadic - si udhëheqës më të rëndësishëm në vendet e tyre - do të drejtojnë serinë e re të negociatave përmes të cilave synohet të tejkalohen një sërë çështjesh që mbajnë të bllokuar bashkëpunimin mes Kosovës dhe Serbisë.

Burime të Express thonë se, pas konsultimeve të shumta me faktorë ndërkombëtarë, Kryeministri i Kosovës, ashtu sikurse edhe Presidenti i Serbisë, kanë pranuar ofertën që të jenë në krye të këtyre bisedimeve.

“Kryeministri Thaçi dhe Presidenti Tadic, duke pranuar që të jenë në krye të delegacioneve të shteteve të tyre, kanë zgjidhur një prej modaliteteve më të rëndësishme të negociatave teknike mes Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë për Express një zyrtar i lartë ndërkombëtar, në kushte anonimiteti.

Qeveria e Kosovës është shprehur e gatshme të bisedojë në çdo kohë dhe për të gjitha çështjet, përveç për statusin politik dhe integritetin territorial. I vetmi kusht i Prishtinës është që të jetë pjesëmarrëse në nivel të barabartë me Serbinë.

Pavarësisht gatishmërisë së Prishtinës dhe një pjese të bashkësisë ndërkombëtare për fillim sa më të shpejtë të bisedimeve për çështje teknike, Beogradi nuk është i gatshëm dhe nuk ka gjasa të pranojë të hyjë në këtë proces para publikimit të opinionit të GJND’së.
Shtuar më 14/05/2010, ora 12:53
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori