Thaci dhe Djukanobic drekojne ne Budve
Albeu.com
Kryeministri Hashim Thaçi dhe Kryeministri Milo Djukanovic kanë pasur një drekë të përbashkët, të dielën, në Budvë. Ata diskutuan për raportet bilaterale, bashkëpunimin rajonal, si dhe për demarkacionin e vijës kufitare mes dy shteteve.
Kryeministri Hashim Thaçi dhe Kryeministri i Malit të Zi, Milo Djukanovic, kanë zhvilluar një takim kokë më kokë, të dielën në Budvë, gjatë të cilit kanë biseduar për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy shteteve.

Kryeministrat e dy vendeve fqinje kanë drekuar së bashku në restorantin “Demizana” në qytetin bregdetar të Budvës.

Këtë e ka konfirmuar për Express, Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisës së Kosovës.

“Gjatë drekës, është diskutuar për raportet bilaterale, bashkëpunimin rajonal dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit. Po ashtu është diskutuar edhe për fillim sa më të shpejtë të demarkacionit të vijës kufitare mes dy shteteve”, ka thënë Krasniqi.

Kryeministri Thaçi është ndaluar në Budvë gjatë kthimit nga Samiti i Dubrovnikut, ku po ashtu është takuar me kryeministra të vendeve të rajonit, zyrtarë të BE’së dhe SHBA’së.

Kreu i Qeverisë kosovare dhe ai i Qeverisë malazeze janë takuar një ditë pas qëndrimit treditor të Presidentit serb, Boris Tadic në Mal të Zi.

Tadic, i cili bojkotoi Samitin e Dubrovnikut për shkak të trajtimit të Kosovës si shtet, ka deklaruar se nuk mund ta kuptojë përse Podgorica e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo ka qenë vizita e parë Tadicit në Mal të Zi, që nga njohja e shtetit të Kosovës nga Podgorica, në tetor të vitit 2008, me ç’rast Beogradi kishte reaguar ashpër duke shkëputur marrëdhëniet diplomatike në nivel të ambasadorëve.

Ndryshe, Kryeministri Thaçi dhe eskorta e tij kanë udhëtuar për në Dubrovnik përmes territorit të Malit të Zi, të premten, në kohën kur Tadic ishte për vizitë në bregdetin malazez.
Edhe gjatë shkuarjes në Dubrovnik, Thaçi është ndalur për të pirë një kafe në Budvë. Gjatë tërë kohës, delegacioni kosovar ka qenë nën përcjellje të forcave policore malazeze.

Ndryshe, në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, Thaçi ka deklaruar të shtunën se Kosova nuk do të shqyrtojë kurrfarë shkëmbimi territorial me Serbinë përgjatë vijave etnike për shkak se kjo lëvizje mund të ketë pasoja të gjera negative.

“Kjo është një ide shumë e keqe”, citohet të ketë thënë ai, në margjina të Samitit ndërkombëtar në Dubrovnik.

“Qëllimi im nuk është ndryshimi i kufijve, por integrimi në strukturat euro-atlantike”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri i Kosovës ka tërhequr vërejtjen për efektet negative që sjell opsioni që prek kufijtë aktualë.

“Nëse tolerojmë një ndryshim të kufijve, kudo qoftë, atëherë do të ketë efekt zinxhiror dhe pasoja për tërë rajonin”, ka thënë Kryeministri Thaçi.

Kosova, që përbëhet nga 90 për qind shqiptarë, ka shpallur pavarësinë para dy vjetësh. Por autoriteti i saj ende nuk është zgjeruar në veri të lumit Ibër, ku serbët përbejnë shumicën.

Disa analistë dhe diplomatë kanë sugjeruar që Serbia të shkëmbejë Luginën e Preshevës, që është në kufi me Kosovën, ku shqiptarët përbëjnë shumicën, me pjesën veriore të Mitrovicës.

“Pasojat (e shkëmbimit) do të ishin në Maqedoni, Kosovë, në vetë Serbinë, Mal të Zi dhe Bosnjë. Secili shtet në rajon e ka Mitrovicën e vet”, ka thënë Thaçi, ish-komandat i guerilëve gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, shkruan Reuters.

Javën e kaluar, një person u vra nga një shpërthim dhe një serb anëtar i Parlamentit të Kosovës u sulmua në Mitrovicë, duke vënë në pah tensionet e vazhdueshme mes shqiptarëve dhe serbëve që mbahen nën vëzhgim nga 10 mijë trupa të NATO’s.

Diplomatë të Bashkimit Europian kundërshtojnë çdo ndryshim kufijsh nëse për këtë nuk ka pëlqim të dyanshëm, por privatisht thonë se një marrëveshje mund të ishte funksionale nëse dy shtetet pajtohen.

Kosova është njohur nga 69 shtete, me përkrahja të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve të fuqishme të Bashkimit Europian. Serbia ka kërkuar nga GJND’ja një opinion lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, ndërkaq vendimi për këtë pritet të jepet gjatë këtij muaji.

“Ne e presim vendimin shumë shpejt. Pas kësaj presim njohje të reja diplomatike dhe një fazë të re të marrëdhënieve me Serbinë”, ka thënë Kryeministri Thaçi.

Tony Blair, Kryeministër i Britanisë në kohën e luftës në vitet 1998-99, ka thënë se pavarësia e Kosovës nuk do të ndikohet nga verdikti i GJND’së. “Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të marrë vendimin, por pavarësinë e Kosovës do të qëndrojë”, ka thënë Blair për Reuters. (express)
Shtuar më 12/07/2010, ora 10:52
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori