Teuta Arifi: Ne BDI ka fraksion
Albeu.com
Në një intervistë për BBC në gjuhën shqipe, Teuta Arifi, nënkryetarja e partisë shqiptare në qeverinë maqedonase BDI, pohon se brenda partisë së saj ka fraksion.
Ajo thotë se është në rritje numri i përkrahësve të idesë së saj, që partia duhet të braktisë qeverinë, qëndrim me të cilin nuk pajtohet kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Në intervistën për BBC-në, zonja Arifi mohon zërat se ajo është në koordinim me Ali Ahmetin, përkundrazi, sipas saj, qëndrimet e tyre janë të ndryshme për veprimin që duhet të marrë partia, duke pohuar se ka fraksion në BDI.
“Po, mund të thuhet se ka mendime të ndryshme, meqenëse me normat tona statutore nuk janë të legalizuara fraksionet. Mirëpo ka një linjë mendimi që angazhohet për rishqyrtim të pozicioneve politike të BDI-së. Ky rishqyrtim lidhet me një afat kohor dhe ka të bëjë me qershorin”, tha ajo.
Duke u përgjigjur në pyetjen pse nuk pajtoheni me qëndrimet e zotit Ahmeti se brenda institucioneve mund të ketë më shumë ndikim, për të arritur synimet për cilat flisni edhe ju, Arifi tha se “unë nuk them që shqiptarët të deinstitucionalizohen dhe të mos i përdorin metodat demokratike. Por synimet arrihen me një vullnet dhe gatishmëri të dyanshme.

Kam frikë se pala tjetër, partneri ynë i koalicionit nuk e ka vullnetin e njëjtë jo vetëm për çështjet shqiptare në Maqedoni, por edhe për politikat financiare, axhendën evropiane të vendit.

Për shumë çështje, ne konceptualisht dallojmë dhe, fatkeqësisht, brenda këtyre dy viteve ne nuk kemi arritur të ndërtojmë një përafrim. Prandaj ne si parti poltike duhet të tërheqim vijën tonë shumë qartë, sepse koha është duke bërë presion mbi ne dhe këto çështje duhet të trajtohen seriozisht”.
Shtuar më 26/05/2010, ora 17:06
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori