Tërmeti shkatërroi shkollat, ministrja Shahini flet për rifillimin e procesit mësimor
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, pas pezullimit të procesit mësimor si pasojë e tërmeteve, tha se këto ditë janë bërë përpjekje për të identifikuar objektet shkollore që kanë dëmtime.

Ajo personalisht u shpreh se kërkon që mësimi të rifillojë, por tha se kjo do të vendoset nesër, pasi të jetë konfirmuar edhe nga autoritetet e sigurisë, se janë krijuar të gjitha kushtet për një gjë të tillë.

”Kemi bërë përpjekje për të identifikuar objektet shkollore që kanë dëmtime. Jemi duke përfunduar analizën e gjithë akt-konstatimeve që na kanë ardhur. Për datën e fillimit të shkollës do të kem një konferencë për shtyp ku do të jap informacion”, tha ministra e ftuar në Top Talk..

“Në Durrës kemi numrin më të madh të shkollave të dëmtuara. Po përgatisim planin e zhvendosjes së nxënësve, aty ku janë dëmtuar shkollat. Së dyti po përgatisim një ambient të ngrohtë me metoda trajtimi psikologjik. Jemi duke përmbyllur edhe pjesën e shkollave private, ato publike janë inspektuar. Do të bëjmë transportin e fëmijëve nga vendet ku janë strehuar, drejt shkollave

“Pasdite do të kenë edhe mësuesit ndihmës si edhe psikologët. Unë mendoj që shkollat duhet të hapen dhe të rifillojë shkolla. Për një vendim më konkret do të dalim nesër në një deklaratë”, tha ministrja Shahini.

Procesi mësimor në të gjitha ciklet u pezullua mëngjesin e së martës, pas tërmetit tragjik që goditi vendin tonë.
Shtuar më 30/11/2019, ora 17:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori