Milani ngec në San Siro, VAR-i dhe Empoli ndalin kuqezinjtë

“Kuqezinjtë” e Milanos nuk ka shkuar më shumë se barazimi pa gola në sfidën e mbrëmjes së sotme ndaj Empolit në “San Siro”, rezultat ky mëse i pritshëm me formacionin që tekniku Pioli kishte vendosur të përdorte mbrëmjen e sotme.

“Djajtë” nuk u ndalën në asnjë moment për të gjetur golin e fitores, gol i cili erdhi në minutën e 89’-të të sfidës, pas një kombinimi fantastik të anësorit Alessandro Florenzi, me “bomberin” francez, Olivier Giroud që gjeti rrugën e rrjetës, por pas një rishikimit të golit me sistemin “VAR”, arbitri Marcenaro vendosi të anullonte golin pas një prekje të topit me dorë gjatë ndërtimit të aksionit.

Me këtë rezultat, Milan ngjitet në vendin e 3-të të renditjes 1 pikë më shumë se “kushërinjtë” e Inter, ndërsa Empoli është ngjitur në kuotën e 32 pikëve dhe pozicionohet në vendin e 14-të të renditjes.


Shtuar 7.04.2023 23:41