Tërmeti në Burrel, banorët flenë jashtë në çadra: E vetmja gjë që më shpëtoi, një fotografi
Pëlqej
Muzgu po bie dhe bashkë me të afron edhe ankthi i banorëve të fshatit Derjan, të cilët përjetuan tronditjen e tërmetit pasditen e së shtunës. Një makth që nuk do të donin ta kalonin më kurrë.

“Isha te komshiu kur ra tërmeti, erdha me vrap dhe pashë shtëpinë që ishte shembur e gjitha. E kam kaluar natën jashtë, ndërsa sot do të fle në çadër“, rrëfen Besim Xhetani, një prej banorëve të Derjanit.

Ai prej disa vitesh jeton vetëm në banesën që iu rrënua para disa ditësh nga fatkeqësia natyrore. Edhe pse nuk ka se çfarë të humbasë më, sërish jeton mes frikës se fshati i tij Derjan do të pësojë lëkundje të tmerrshme, si ato të së shtunës që shkretuan kujtimet familjare për 20 banesa.

“Frikë kemi akoma, po çfarë të bëjmë”.

Mes orendive që ka mundur të shpëtojë, e vetmja gjë që ruan me fanatizëm është një foto e prindërve që i lanë trashëgim banesën. Çdo gjë tjetër nuk është kursyer aspak nga tronditja e së shtunës.

Ngushëllimin e vetëm për të kaluar këto ditë e gjen tashmë në mbështetjen e fqinjëve që mundohen t’i qëndrojnë pranë.

Pas Derjanit, i drejtohemi fshatit Barbullej, në të cilin shumë banesa janë shembur. Në një nga kullat më të vjetra të zonës jeton mësuesi i matematikës Nazmi Mata, i cili tregon...

“Isha brenda në shtëpi kur ra tërmeti, nxitova për të dalë po nuk dilja dot. Kemi dy ditë që po flemë jashtë, sot shyqyr kemi çadrën”.

Tashmë për të kaluar natën familja e Nazmiut do të gjejë qetësi brenda në çadër, e cila garanton sado pak siguri pas makthit të së shtunës. Për t’iu gjendur pranë në këto ditë të vështira, Nazmiut i kanë ardhur disa të afërm, por çadra nuk mund t’i mbajë dot të gjithë.

Një banore tjetër, Lindita Brahilika shprehet...

“Ishte tërmet i tmerrshëm, për pak kohë u tund e gjithë shtëpia. Nxituam të dalim, por ishim bllokuar brenda”.

Në orët e vona të mbrëmjes, teksa heshtja pushton çadrat dhe rrënojat që ka lënë pas tërmeti, ka hapësirë vetëm për lutjet e tyre që fatkeqësi të tilla të mos përsëriten më kurrë. /Klan Plus
Shtuar më 14/08/2018, ora 20:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori