Tërmeti i Shkodrës në '79, rrëfimi i ish-sekretari i Enverit: Si ndërtuam 17 mijë shtëpi
Ish-sekretari i parë i Komitetit të Partisë së Shkodrës, Muho Asllani, tregon se si brenda 5 muajve, u bë e mundur futja në shtëpi të reja të mijëra banorëve në Shkodër dhe Lezhë pas tërmetit shkatërrues të prillit 1979.

Asllani u emërua në këtë detyrë posaçërisht në funksion të likuidimit të pasojave të tërmetit, tregon edhe refuzimin që u bëri Byroja Politike ndihmave të afruara nga vendet fqinje si Italia, Greqia, por dhe Franca dhe Turqia, duke kërkuar që gjithçka të realizohej me “forcat tona”.

Çfarë pasojash pati tërmeti i 15 prillit 1979?

Tërmeti i 1979 ishte 8 ballë dhe preku shumë vende të Ballkanit dhe preku vetëm fshatrat, zonat fushore dhe jo qytetin e Shkodrës, përveç ndonjë shtëpie të vjetër e të rrënuar. Tronditi 500 fshatra, dolën jashtë përdorimit më shumë se 17 mijë shtëpi, 400 objekte ekonomike dhe social-kulturore. Rreth 100 mijë banorë mbetën të pastrehë. Në rrethin e Shkodrës vdiqën 34 persona dhe 6 në Lezhë, u plagosën 331 vetë dhe u shembën 4700 shtëpi, 130 objekte ekonomike dhe social-kulturore.

Në qytet, tërmeti ishte 5.5 ballë. Nga Ura e “Bahçallëkut” e deri në Velipojë, të gjitha fshatrat i rrafshoi sepse ishin zona fushore. “Bahçallëku” u shkatërrua plotësisht. Familjet shkodrane u ngritën të tëra për të mirëpritur familjet e fshatit që u goditën nga tërmeti, duke i strehuar në shtëpitë e tyre. Por pak familje lëvizën nga fshati, sepse aty ata kishin ekonominë, punën dhe gjithçka që i lidhte me tokën.

Ku qëndronin të prekurit nga tërmeti?

Çdo familje kishte çadrën e vet. Ne e shpallëm që ditën e parë në atë kohë gjendjen e jashtëzakonshme dhe thamë se jemi në luftë me vdekjen.

Ju u vendosët menjëherë sekretar i parë i KP-së së Shkodrës?

Sapo ra tërmeti, Enver Hoxha më emëroi sekretar të parë të Komitetit të Partisë së Shkodrës, nga zv.ministër i Bujqësisë, dhe më kërkoi zhdukjen e pasojave të tërmetit dhe të gjitha familjet e prekura nga tërmeti të futeshin në shtëpi të reja brenda 9 muajve. Sapo mora detyrën dhe ngrita shtabin e likuidimit të pasojave të tërmetit, unë i thashë shtabit se jemi në gjendjen lufte. Në luftë kush nuk zbaton vendimin që ka marrë nga komanda, pushkatohet, ndërsa këtu shkarkohet, nga drejtor ndërmarrjeje, do shkojë të punojë në fabrikën e tullave, që ishte puna më e vështirë. Dy nene të rregullores ishin: More urdhrin, zbatoje dhe raporto! E dyta, more detyrën, kryeje brenda afatit të caktuar dhe hajde raporto!

Pati panik në atë kohë?

Patëm jo pak raste, pleq e plaka, por edhe nuse të reja që krijonin panik, madje ankoheshin në çadrat ku u sistemuan se pushteti nuk po interesohej për to dhe nuk po merreshin masat. “Çfarë bën partia? Çfarë bën pushteti popullor?!”. Enver Hoxhën nuk e përmendnin, sepse i kapte ligji i agjitacionit dhe i propagandës dhe hynin në burg.

Cilat ishin masat e para që morët pas tërmetit?

Unë ngrita një shtab që drejtonte të gjithë aksionin, të cilin unë e cilësoja shtab lufte me drejtuesit e institucioneve ligjzbatuese. Detyra e parë ishte të shpëtonim njerëzit që ishin nën rrënoja, e dyta, të bënim ceremonitë mortore për ata që kishin humbur jetën dhe e treta sistemonim të plagosurit, që ishin mbi 300 vetë. Dëme të mëdha kishim edhe në blegtori. Enver Hoxha dha porosi që e gjithë ekonomia dhe i gjithë vendi të vihej në funksion të tërmetit.

Më tha se do t’i kërkoja Adil Çarçanit çdo gjë, i cili ishte zv.kryeministër, nëse nuk ta zgjidh Adili, shko te Mehmet Shehu, Kryeministër dhe nëse as ai nuk ta zgjidh, hajde tek unë dhe unë kam shkuar nja dy herë tek Enver Hoxha kur më nxirrnin pengesa. U dha urdhër që fshatrat të grumbulloheshin në kodrina dhe të largoheshin nga bregu i Bunës dhe Drinit se toka aty ishte moçal. U vendos që e gjithë lënda e parë që prodhohej të shkonte në Shkodër për pasojat e tërmetit, të gjitha mjetet e transportit në funksion të tërmetit.

U morën disa masa si të ishte urdhër ushtarak. U vendos që ndërmarrjet ekonomike të Shkodrës, 1/3 të kolektivit, do të shkonin në punën për rindërtimin e shtëpive të “Bahçallëkut”. Një drejtor, të cilin nuk e gjeta në punë gjatë natës, e shkarkova dhe e dërgova në prodhim në prodhim tullash. Pas dy javësh e riktheva, por duhej bërë shembull sepse situata ishte e tillë.

Unë mbledhjet i bëja në orën 8:00, ndërsa Edi Rama i bën që në orën 7:00 dhe i sheh ministret që janë me sy të fryrë akoma, ua mori shpirtin. Me këtë ritëm, Edi Rama do skadojë shpejt, sepse ka tipin që i jep detyrë një ministri dhe nëse ministri nuk e bën, shkon e mbaron vetë. Nuk mund t’i bësh të gjitha vetë.

Kështu e bëja dhe unë në atë kohë. Duhen deleguar punët se në fund sëmuresh. Në Shkodër erdhën 15 mijë aksionistë nga e gjithë Shqipëria për të likuiduar sa më shpejt pasojat e tërmetit, të cilët qëndruan në çadra. Ata ishin aksionistë, por paguheshin më shumë sesa në ndërmarrjet e tyre.

Si e ndiqnit këtë punë, qëndronit gjatë gjithë kohës në aksion?

Gjatë gjithë kohës isha i lidhur vetëm me këtë punë, nuk merresha me asgjë tjetër. Kisha dhe dy instruktorë të Komitetit të Partisë, që më zëvendësonin dhe ishin shumë të aftë dhe të përkushtuar. Në ato 5 muaj që u mora me tërmetin, dilja nga shtëpia që në orën 6 e gjysmë dhe nuk kthehesha para orës 23:00, gruan e zinte gjumi në kolltuk duke më pritur mua.

Kishit probleme me aksionistët?

Aksionistët që kishin ardhur nga Tirana, kishin ndërtuar një shkollë muri i së cilës u shemb dhe u bë problem i madh deri në Byronë Politike. Ata shoqëroheshin nga nënkryetari i Komitetit të Partisë së Tiranës, i cili qëndronte bashkë me ta. Unë e bëra alarm deri te Hysni Kapo dhe pas dy ditësh në Byronë Politike u thirr edhe Pirro Kondi, sekretar i parë i Partisë së Tiranës. Enver Hoxha e pyeti Pirro Kondin se çfarë është bërë me aksionistët e Tiranës në “Bahçallëk” Pirro Kondi filloi të fliste, por pa gjëra konkrete.

Pastaj më pyeti mua, si është puna se je ankuar te shoku Hysni. Unë u ngrita dhe i thashë se shoku Pirro na tha se ka sjellë në Shkodër aksionistë me kategori të gjashtë profesionale, por me kategori të gjashtë kanë sjellë ata të ndërmarrjes artistike “Migjeni”, të cilët dinë të punojnë në allçi shqiponja, Skënderbeun, klasikët e marksizëm-leninizmit, por jo të bëjnë shkolla, nuk kanë kategori ndërtimi. Iu kthye Enver Hoxha me kritika më pas, se çfarë rëndësi kishte për vendin ishte likuidimi sa më shpejt dhe mirë i pasojave të tërmetit.

Sa kohë zgjati ky aksion?

Detyra ishte që për 9 muaj, të gjithë duhet të ishin brenda në shtëpitë e tyre të reja, por i gjithë aksioni u përfundua në kohë rekord, për 5 muaj dhe u ndërtuan 17 mijë shtëpi të reja. Por patëm probleme me ndarjen e shtëpive, se njëri e donte me pamje nga lumi, tjetri me pamje nga lindja e diellit dhe ne i ndamë me short, kështu që u pëlqente, nuk u pëlqente, morën atë që tërhoqën vetë në short. Disa familje, anëtarë partie dhe pak me biografi të keqe, nuk e pranuan shortin dhe qëndruan në çadra për pak kohë. Më pas, kur unë isha-ministër Shteti, më çonin letra që të hynin te shtëpitë që u kishte rënë në short.

Të gjitha shtëpitë ishin të njëjta, nuk kishte dallim?

Po, po, të gjitha njëlloj, si për kooperativistin, ashtu dhe për kryetarin apo dhe sekretarin e partisë së kooperativës. Enver Hoxha na kërkoi që të gjitha shtëpitë të bëheshin me oxhak dhe na kërkoi të ndaheshin në mënyrë të barabartë. Kush u mor me studimin dhe projektimin e shtëpive të reja? Është marrë Instituti i Projektimi të Ndërtimit, i cili pezulloi të gjithë aktivitetin e tij dhe iu përkushtua vetëm çështjes së tërmetit.

Shtëpitë e reja kishin mbrojtje sizmike??

Nuk kishin asnjë problem. Madje, në ndërtesat fundit na mbaroi gëlqerja, pa të cilën nuk mund të bëhej llaçi. Çimentoja që bënim bunkerët ka ardhur nga Kina, sepse ishte i një cilësie shumë të lartë. Dhe ne kemi përdorur nga kjo çimento dhe për ndërtimet në Shkodër dhe në disa banesa në vend të gëlqeres përdorëm çimento të cilësisë së lartë. Pasi mbaroi ndërtimi i të gjitha shtëpive që kishim planifikuar, vjen një grup nga Mali i Zi, nga ku ishte epiqendra e atij tërmeti të frikshëm.

Ata u çuditën kur panë shtëpitë e ndërtuara dhe thanë se sa shpejt i keni ndërtuar shtëpitë e prishura. I trokiti murin dhe tha se ne kemi informacion se ju i bëni shtëpitë për propagandë me pllaka gipsi. Këto ishin informacionet dashakeqe të UDB-së. Unë i kërkova të zotit të shtëpisë ku ishim, një sqepar, ia dhashë malazezit që të godiste murin e shtëpisë. Ai u çudit kur pa fortësinë e murit dhe tha se ky nuk është bërë me tullë, por me beton.

Sa ishte kostoja e likuidimit të të gjitha pasojave të tërmetit?

Ka qenë një kosto jo e vogël për financat e shtetit tonë në atë kohë. Por ka pasur një gatishmëri të madhe dhe nga vende të tjera për të na ndihmuar financiarisht. Enver Hoxha nuk ishte kundër sepse u shpreh në një mbledhje Byroje Politike se do ta shikonim kërkesën që na vjen nga vendet e tjera. Por ishin disa zëra, që reaguan keq në Byro, duke thënë se nëse ne do pranojmë këto ndihma, do të shkruajnë gazetat e tyre se “shteti komunist i Shqipërisë u dorëzua para tërmetit dhe u rindërtua me ndihmën e vendeve kapitaliste. Ne duhet t’i rindërtojmë me forcat tona”. Enveri ishte më i butë, thoshte ta shikojmë se komshiu me komshiun gjenden në ditë të vështira.

Cilat shtete kishin ofruar ndihmë?

Po ishte Turqia, Greqia, Italia, Franca dhe nuk pranuam nga asnjë prej tyre ndihma. Kostoja ishte e madhe, por e përballoi shteti. Rezervat tona ishin të tilla që vendi mund të qëndronte pa prodhuar për një vit të plotë dhe të konsumonte rezervat e shtetit. Çdo gjë ishte parashikuar për gjendje lufte. Por në atë kohë ishte një mobilizim i jashtëzakonshëm.

Në këtë sistem nuk mund të bësh mobilizime të tilla, sepse, përveç solidarizimit, në atë kohë bëhej fjalë dhe me frikën, se nëse nuk përgjigjeshe thirrjes, mund të kishe pasoja me punën, me të ardhmen. Kur përfundoi aksioni pesëmujor për likuidimin e pasojave të tërmetit, erdhi vetë Enver Hoxha dhe bëri inaugurimin. Shkodra u dekorua “Heroinë e Punës Socialiste”, u nderuan individë dhe ndërmarrje. Pas likuidimit të pasojave të tërmetit, mua m’u dha “Urdhri i Flamurit të Klasit të Parë”, që jepej nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

Më emëruan ministër Shteti dhe në kongresin e 8-të të PPSH-së u zgjodha anëtar i Byrosë Politike, pa kaluar stazhin e kandidatit të Byrosë Politike.

Si ka reaguar qeveria në tërmetin e 26 nëntorit?

Ky është sistem tjetër. Do të menaxhohen mirë gjithë këto ndihma që vijnë dhe jepen, por duhet një dorë e fortë që të depozitohen mirë dhe të ndahen duke i çuar aty ku ka nevojë. Në të tilla raste fatkeqësish natyrore të këtyre niveleve, kur solidarizohet gjithë bota, nuk tolerohet të ketë abuzime me ndihmat dhe fondet.

Është paturpësi e madhe. Kjo situatë kërkon njerëz të ndershëm dhe të përkushtuar që nuk mungojnë, nuk dua të përmend emra të përveçëm. Çdo gjë varet nga menaxhimi dhe mua më duket se reagimi i parë i shtetit ka qenë pozitiv, siç duhej.

Shtuar më 09/12/2019, ora 11:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori