Hakohet faqja e “Facebook-ut” e ish-presidentit Hashim Thaçi

Faqja zyrtare e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Facebook është hakuar. Lajmi është konfirmuar sot për KosovaPress nga ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Adil Behramaj, i cili ka bërë të ditur se faqes i është ndryshuar emri, fotografia dhe karakteri.

Sipas Behramajt, rasti është adresuar në Polici.

“Po, faqja zyrtare e presidentit Thaçi, e cila ka qene pasive qe nga dita e doreheqjes se tij, me 5 nentor 2020, eshte hakuar. Asaj i eshte ndryshuar emri, fotoja dhe karakteri. Rastin tashme e kemi adresuar zyrtarisht ne Policine e Kosoves”, ka bërë të ditur Behramaj.

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po akuzohen me pretendimin për krime lufte dhe të njëjtit po qëndrojnë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.

Ndërkohë, platforma “Liria ka emër” do të organizojë sot në Prishtinë marsh qytetar dhe solidarizues në mbështetje të luftës së drejt të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre në Hagë./Kosovapress


Shtuar 2.04.2023 12:47