Zgjerohet “Rrjeti” në Elbasan, kapen dhe dy persona të shpallur në kërkim, shkon në 54 numri i të arrestuarve

Dy persona janë arrestuar ditën e sotme në kuadër të operacionit “Rrjeti”.

Operacioni “Rrjeti” u finalizua më 29 qershor në Elbasan dhe u lëshuan 52 urdhër-arreste. Sakaq, 7 persona të tjerë u shpallën në kërkim .

Ditën e sotme kanë rënë në pranga shtetasit M. B., 35 vjeç dhe M. K., 34 vjeç, të dy banues në Elbasan. Për këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në kuadër të këtij operacioni ka shkuar në 54 numri i personave të ndaluar.

Në njoftimin e policisë thuhet se personat e arrestuar sot akuzohen se janë pjesëtarë të një rrjeti kriminal për prodhimin, shitjen dhe trafikimin e llojeve të ndryshme të drogave, veprimtari kriminale e cila u godit nga Policia e Elbasanit, më datë 29 qershor 2023, në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Rrjeti”.

Për këtë megaoperacion janë vënë në pranga 54 shtetas në total, si dhe janë sekuestruar sasi dhe doza të drogave të ndryshme, armë zjarri, municion luftarak, armë të ftohta dhe shuma të mëdhaja parash në valuta të ndryshme.

Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme./Albeu.com/


Shtuar 16.07.2023 10:10