Terhiqet Sali Berisha
Albeu.com
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është tërhequr nga komunikata e një dite më parë, ku ai shfaqte dëshirën e tij për rezultate pozitive të LDK’së në zgjedhjet e sivjetme lokale. Por, LDK vazhdon të qëndrojë prapa kumtesës së ...... saj. Qeveria e Kosovës, ndërkaq, thotë se pretendimet e ndonjë partie politike, nuk do t’i prishin raportet e shkëlqyera mes dy qeverive.

Nga Leonard Kerquki më 14.08.2009 në ora 7:48
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është përkujdesur gjatë ditës së enjte të përmirësojë situatën që kishte krijuar një ditë më parë, kur ai shfaqi tendenca të përzierjes në zgjedhjet lokale të Kosovës.

Ekipi i tij, të enjten, ka ndryshuar një pjesë të komunikatës për media, e cila e përfshinte Berishën direkt në zhvillimet e brendshme politike në Kosovë.
“Më tej biseda u përqendrua në bashkëpunimin midis dy forcave politike, Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kryeministri shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me LDK’në, në traditën e bashkëpunimit midis dy forcave politike, sikurse kërkoi mirëkuptim për vendosmërinë e tij për të mbetur i hapur për bashkëpunim me të gjitha forcat politike të Kosovës, pasi ky është qëndrimi që përshtatet me interesin më të mirë të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe interesit kombëtar”, thuhet në komunikatën e përmirësuar të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, që i referohet takimit të Berishës me udhëheqësit e LDK’së - Nënkryetarët Eqrem Kryeziun, Lutfi Hazirin dhe Sekretarin e Përgjithshëm Ramë Manajn.

Më parë, komunikata kishte tërësisht një përmbajtje tjetër.

“Më tej, biseda u përqendrua në bashkëpunimin midis dy partive politike, Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e tij për t’i dhënë LDK’së ndihmë pa rezervë, sikurse vuri theksin në nevojën e bashkimit të grupimeve të ndryshme politike në Kosovë si mënyra më e mirë që LDK’ja të arrijë rezultate pozitive”, thuhet në komunikatën paraprake të Qeverisë së Shqipërisë.

Gazeta Express, gjatë ditës së enjte, ka tentuar vazhdimisht të kontaktojë me Kryeministrin shqiptar, por kjo ka qenë e pamundur. Por një anëtar i Kabinetit Berisha ka deklaruar për Express se komunikata e djeshme ka qenë thjeshtë një lapsus i personelit teknik.

“Thjeshtë ka qenë një lapsus në tekstin e komunikatës. Nuk bëhet fjalë që ai ka qenë qëndrimi i Kryeministrit. Qëndrimi i Kryeministrit është ai që keni mundur të shihni sot në ueb-faqen e Këshillit të Ministrave”, ka thënë në kusht anonimiteti për Express një anëtar i Kabinetit të Kryeministrit Berisha.

Megjithëkëtë, Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të qëndrojë prapa komunikatës së saj ku thuhet se “Kryeministri Sali Berisha rikonfirmoi mbështetjen e tij të parezervë për zhvillimin e mëtejmë të LDK’së dhe interesimin e tij të thellë që LDK’ja, si parti lideriste e djathtë në Kosovë, t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare”.

Vehbi Miftari, Zëdhënës i LDK’së, ka thënë se fjalët e përfshira në komunikatë kanë dalë nga takimi i udhëheqësve të LDK’së me Kryeministrin Berisha.
“Ky është interpretimi që përfaqësuesit tanë në takim e kanë shpreh pas takimit me z.Berisha. Ata ju kanë referuar qëndrimeve të tyre në takim dhe qëndrimit të z.Berisha, po ashtu”, ka thënë Miftari për Express.

Lajmi se Kryeministri i Shqipërisë është pozicionuar krah partive të deklaruara si të Djathta në Kosovë, ka nxitur edhe reagimin e Qeverisë së Kosovës, e cila udhëhiqet nga PDK e Hashim Thaçit.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi ka thënë se pretendimet e ndonjë partie politike, nuk do të mund të dëmtojnë raportet e mira që kanë krijuar dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.

“Ne mendojmë se dy qeveritë duhet të kemi raporte institucionale, në interes të qytetarëve dhe vendeve tona. Dhe në këto raporte, që janë fuqizuar nga shpallja e pavarësisë, pretendimet e ndonjë partie politike nuk mund do të kenë ndikim. Absolutisht”, ka thënë Krasniqi për Express, të enjten.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha gëzon një reputacion jashtëzakonisht të mirë në Kosovë. Këtë imazh të Berishës, partitë politike në Kosovë po përpiqen ta kapitalizojnë në vota. (Leonard Kerquki, express)
Shtuar më 14/08/2009, ora 17:31
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori