BBC i identifikon me emra, Rusia ka humbur të paktën 30 mijë ushtarë në Ukrainë

Humbjet e Rusisë në luftën në Ukrainë arrijnë në pothuajse 30,000 ushtarë, të llogaritura bazuar në burime të hapura nga shërbimi rus i BBC në bashkëpunim me faqen e internetit Mediazona dhe një grup vullnetarësh.

Sondazhi identifikon emrat e 29,217 ushtarakëve rusë të vrarë në Ukrainë, nga të cilët të paktën 870 u vranë duke zmbrapsur kundërsulmin ukrainas.

Në total, gjatë muajit të fundit është bërë i mundur identifikimi i emrave të 1800 ushtarëve rusë të vrarë në Ukrainë, shkruan shërbimi rus i BBC-së, duke theksuar se edhe pse konfirmohet se këta ushtarë janë vrarë muajin e fundit, jo për tëgjithë dihet data e vdekjes.

Në të njëjtën kohë, shërbimi rus i BBC-së thekson se publikon vetëm informacione të verifikuara nga burime të hapura, pra nga njoftimet e zyrtarëve dhe mediave, nga postimet e të afërmve të tyre në rrjetet sociale dhe informacione nga varrezat lokale.

Që nga fillimi i pushtimit, Rusia ka humbur 2,306 oficerë në Ukrainë. Ato përfshijnë 854 personel ushtarak që i përkasin njësive elitare (oficerë të forcave ajrore, marinsat, forcat speciale, njësitë e qëllimeve speciale të Gardës Ruse, si dhe 178 pilotë ushtarakë).

Uebsajtet e gazetarisë investigative Mediazona dhe Meduza së fundmi llogaritën vdekshmërinë e tepërt të burrave rusë dhe arritën në përfundimin se viktimat totale të luftës në Rusi deri në fund të majit 2023 arrijnë në 47,000.

Rrjedhimisht, shkruan shërbimi rus i BBC-së, sipas vlerësimit më të kujdesshëm, deri në gusht Rusia mund të ketë 60 mijë të vdekur në Ukrainë.