Tentoi të eliminonte Lulzim Berishën, merret vendimi për Ahmet Ajetin
Gjykata e Durrësit ka dënuar me burg shtetasin Ahmet Ajeti, i cili akuzohet se ka ngritur atentat ndaj Lulzim Berishës.

Ajeti është dënuar me 24 vite burg dhe me aplikimin e gjykimit të shkurtuar dënimi ka zbritur në 16 vite burg. Kjo çështje ishte përcjellë për kompetencë nga GJKKO në gjykatën e Durrësit.

Ngjarja në fjalë ka ndodhur në vitin 2005, por çështja është rihapur në 2018-n, kur Ajeti u ekstradua nga Kosova. Nga ana e tij Ajeti nuk e ka pranuar se ka tentuar të vrasë Lul Berishën dhe se plagën që kishte në trup e ka shkaktuar vetë.

“Erdha në Shqipëri pasi kërkoja punë, erdha bashkë me Osman Karpuzin, të cilin e kam njohur në Maqedoni. U ndalëm fillimisht në Tiranë tek një ndërtesë, aty takuam dy persona të cilët na thanë se do të na gjenin punë, por puna sipas tyre ishte në Durrës. Pasi u nisëm drejt Durrësit, ata na vendosën në një hotel që sipas tyre ishte hoteli i tyre.

Dy persona u kthyen sërish dhe na sollën një armë dhe një fotografi. Na thanë “këtë personin duhet ta vrísni”. Dy personat folën më tepër me Osmanin. Ne nuk donim ta bënim, por ata na thanë nuk kemi shpëtim pa kryer krimin. Osmani doli për të blerë cigare, unë mora armën dhe vendosa të vetësakrifikohesha. Qëllova veten në krahun e majtë, afër ijes së barkut.

E bëra këtë gjë pasi nuk doja të kryeja vrasjen që ma kërkuan ata. Kisha ardhur në Shqipëri për të kërkuar punë, isha kryefamiljar dhe vëllai ishte invalid lufte.

Më çuan në spital, aty erdhën dy persona që më thanë që nëse tregoja “nuk do ta shikoja vëllain”. Më mori policia në pyetje dhe pastaj më çuan në një shtëpi ku më vendosën në ruajtje të një efektivi.
I tregova policisë se isha plagosur gjatë një sherri banal me dy persona dhe se ata më kishin plagosur.”
Shtuar më 30/06/2020, ora 13:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori