Tensionet/ Ministria e Jashtme e Shqipërisë thërret për sqarime ambasadorin grek
Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar zyrtarisht duke iu përgjigjur deklaratave të Ministrisë së Jashtme të Greqisë në lidhje me shembjen e shtëpive të banorëve të Himarës.

MPJ i cilëson të papranueshme deklaratat e djeshme të Athinës zyrtare, duke pohuar se të gjitha procedurat e Bashkisë së Himarës për këtë çështje janë transparente dhe në përputhje me legjislacionin. Gjithashtu, është thirrur për të dhënë shpjegime në Ministri ambasadori grek në Tiranë.

Ministria e jashtme e quan reagimin e palës greke si një konsum për politikën e brendshme në Greqi, duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet e Athinës zyrtare për minoritetin grek në Himarë.

Ministria e Jashtme e Greqisë kërkoi dje që të ndalet shembja e banesa të minoritetit grek në Himarë dhe kërcënoi me veto procesin integrues të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.


Reagimi i MPJ-së shqiptare:

Është rasti të themi se habia pason habinë kur bëhet fjalë për qëndrimet e MPJ greke.

Tonet kërcënuese të deklaratës dhe njohja e cekët e situatës dhe rrethanave, nuk mund të mirëkuptohen në Europën e sotme, përveçse si një mesazh i destinuar për konsum të brendshëm.

Shqipëria nuk bën dallime në respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës. Procedurat ligjore të ndjekura nga Bashkia Himarë, që kanë në fokus shndërrimin e qytetit të Himarës në një destinacion turistik europian, janë transparente dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Deklaratat e përsëritura të MPJ greke dhe gjuha anakronike për Himarën janë të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës.

Parime të cilat orientojnë veprimtarinë e institucioneve të shtetit shqiptar. Bazuar në sa më siper e në pajtim me praktikat diplomatike, Ministria e Puneve të Jashtme ka thirrur për sqarime Ambasadoren e Greqise ne Tirane duke shprehur qëndrimin e mësipërm. /albeu.com/
Shtuar më 31/10/2016, ora 21:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori