Tension në gjykatë, Kristi Pine fyen të pandehurit
I dyshuari si pjesëtar i një grupi kriminal që kryente vrasje me pagesë, Kristi Pine, sapo ka hyrë në sallën e gjyqit është ndierë jo i qetë. Teksa shoqërohej nga oficerët policorë, ai është ndalur drejt kafazit ku qëndronin të pandehurit Alfred Qefaliaj, Dritan Peksani dhe Klajdi Shermadhi, dhe është drejtuar me fjalët: "Përse më shikon? Ke një muaj që po më spiunon", duke vijuar me sharje me pas. Asnjë nga të pandehurit nuk ka reaguar, për faktin se askush nuk e ka kuptuar se kujt iu drejtua Kristi Pine me këto fjalë.

Pine mban statusin e të penduarit, pasi pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë. Para hetuesve, Pine ka pranuar se ka qenë pjesë e një grupi kriminal që drejtohej nga Admir Tafili, i dënuar me burgim të përjetshëm.

I penduari ka rrëfyer kohë më parë vrasjet e kryera, shumat e parave kundrejt të cilave kishte vrarë, emrat e bashkëpunëtorëve dhe porositësve, gjë që bëri të mundur që organi i akuzës të identifikojë 13 persona të dyshuar si pjesëtarë të grupit që kryente vrasje me pagesë. Seanca gjyqësore e kësaj së mërkure u shty për shkak të mungesës së avokatëve të të akuzuarve, ndërsa çështja nuk dihet se kur do të marrë fund, duke qenë se janë shumë të pandehur.

Të pandehur si pjesëtarë të grupit kriminal janë Admir Tafilaj, Elson Merdani, Dritan Peksani, Alfred Qefalia, Adrian(Isuf) Uzuni, Klajdi Shermadhi, Aleksandër Gora, Fatos Koka, Albano Beqiraj, Dhimitër Zito, Kalem Hyka, Besnik Daci dhe i penduari Kristi Pine. Ndaj këtij grupi rëndojnë akuzat e “Vrasjes me paramendim”, në bashkëpunim, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupi i strukturuar”. /albeu.com/
Shtuar më 07/07/2016, ora 08:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori